Rrjetet sociale po konsiderohen tashmë një rrezik serioz për shëndetin e fëmijëve, në të njëjtin nivel me duhanin dhe mungesën e rripave të sigurimit në makina.
Ky është paralajmërimi i fortë që kanë bërë mjekët më të lartë në Britani të Madhe, duke i kërkuar qeverisë masa urgjente për të kufizuar ndikimin e tyre tek të rinjtë.
“Akademia e Kolegjeve Mbretërore të Mjekësisë” publikoi një raport në kuadër të konsultimit të qeverisë britanike për mbrojtjen e fëmijëve online, proces që përfundoi këtë të martë.
Rrjetet sociale renditen krah duhanit dhe përdorimit të rripave të sigurimit si një çështje që ka bashkuar profesionin mjekësor
-deklaroi organizata që përfaqëson 23 kolegje dhe fakultete mjekësore në Britani dhe Irlandë.
Sipas raportit, më shumë se gjysma e 132 mjekëve të anketuar thanë se çdo javë shohin të paktën një rast dëmtimi shëndetësor që lidhet me përdorimin e teknologjisë dhe pajisjeve elektronike. Ndërsa mbi një e treta raportuan se përballen me raste të tilla disa herë në javë.
Mjekët paralajmërojnë se dëmet variojnë nga lëndimet fizike, të shkaktuara nga imitimi i akteve të dhunshme apo pornografike, deri te problemet serioze të shëndetit mendor, përfshirë traumat nga ekspozimi ndaj dhunës online.
Ndërkohë, Britania po shqyrton masa të forta për kufizimin e aksesit të fëmijëve në rrjetet sociale, përfshirë një ndalim të mundshëm për personat nën 16 vjeç.
Në diskutim janë edhe oraret kufizuese, limitet kohore për aplikacionet dhe frenimi i elementeve që konsiderohen “varësuese”.
Australia u bë vitin e kaluar vendi i parë në botë që ndaloi përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa disa vende europiane po shqyrtojnë masa të ngjashme.
Ligji britanik për sigurinë online tashmë detyron kompanitë e rrjeteve sociale të mbrojnë fëmijët nga përmbajtjet e paligjshme dhe të dëmshme, por qeveria ka paralajmëruar se do të shkojë edhe më tej.
Pyetja nuk është nëse do të veprojmë; ne do të veprojmë, qoftë me ndalim të rrjeteve sociale për nën 16-vjeçarët apo me kufizime për funksione të caktuara
-deklaroi sekretarja britanike e Teknologjisë, Liz Kendall, për BBC News.
Ndërkohë, qindra familje britanike po testojnë ndalime të rrjeteve sociale, kufizime orare dhe limite kohore për aplikacionet, për të parë ndikimin që këto masa kanë në gjumin, jetën familjare dhe performancën në shkollë të fëmijëve.
Megjithatë, ekspertët mbeten të ndarë mbi efektivitetin e një ndalimi total, ndërsa një grup të rinjsh në Londër i thanë Reuters se janë kundër kufizimeve të tilla.