Vetëm 17% e amerikanëve miratojnë përpjekjet e presidentit Donald Trump për të marrë Groenlandën dhe pjesa më e madhe e demokratëve e republikanëve kundërshtojnë forcën ushtarake për aneksimin e ishullit, thotë një sondazh i Reuters/Ipsos.
Sondazhi dyditor, i cili u përmbyll të martën, shfaqi shqetësimet e përhapura për kërcënimet e Trump për Groenlandën ndaj Danimarkës aleate në NATO. Groenlanda është prej shekujsh territor danez.
47% e të anketuarve nuk i miratuan përpjekjet e SHBA-së për Groenlandën, kurse 35% thanë se ishin të pasigurt.
1 në 5 të anketuar thanë se nuk dinin asgjë për planin e Trump. 66%, përfshirë 91% nga demokratët dhe 40% nga republikanët, thanë se shqetësoheshin që plani për Groenlandën do të dëmtojë aleancën me NATO-n dhe marrëdhëniet e SHBA-së me europianët.
LEXO EDHE: Sondazhi: “Vetëm një në tre amerikanë miratojnë ndërhyrjen e SHBA-së në Venezuelë”!
10% ranë dakord me një deklaratë se SHBA-të “duhet të përdorin forcën ushtarake për të marrë një territor të ri si Groenlanda dhe Kanali i Panamasë.”
Edhe për Iranin, sondazhi tregoi se vetëm 33% e amerikanëve miratojnë sulmin ndaj vendit, kurse 43% jo.
Sondazhi i Reuters/Ipsos u krye online dhe në nivel kombëtar duke mbledhur përgjigje nga 1,217 amerikanë dhe me marzh gabimi 3%.
Sipas Politico, qëllimi i vërtetë i Trump mund të mos lidhet me çështjet e sigurisë apo burimet natyrore të Groenlandës, siç është argumentuar herë pas here. Publikimi thekson se, nëse interesi lidhej me mineralet e ishullit, Danimarka i kishte ofruar për vite me radhë Shteteve të Bashkuara mundësinë e investimit në Groenlandë, një ofertë që Uashingtoni nuk e pranoi.
Në mënyrë të ngjashme, nëse motivi kryesor ishte kufizimi i ndikimit të Kinës dhe Rusisë në Arktik, zgjidhja mund të ishte më e thjeshtë: Shtetet e Bashkuara mund të forconin zyrtarisht praninë e tyre ushtarake në ishull, me pëlqimin e Kopenhagenit, pa ngritur çështjen e sovranitetit.
Megjithatë, në Bruksel, një interpretim i ndryshëm, më personal në natyrë, po fiton terren. Siç përmbledh një diplomat evropian, Donald Trump dëshiron të hyjë në histori si njeriu që e bëri Amerikën “më të madhe”, madje edhe në terma gjeografikë, duke i dhënë debatit për Groenlandën një karakter të fortë simbolik dhe politik.