Edhe 6 ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ndërsa sytë janë kthyer nga sondazhet, të fundit para se të votohet të djelën për Kuvendin e ri.
Krahas Top Channel në bashkëpunim me IPSOS-in, në Shqipëri janë disa media që me institute e kompani të specializuara po publikojnë rezultate të sondazheve se si do të votonin shqiptarët nëse zgjedhjet mbaheshin sot.
Sipas Institutit Italian Piepoli që këtë vit në Shqipëri kishte partner Report TV, 48-52% e qytetarëve do të votonin Partinë Socialiste duke i dhënë 69-73 mandate deputetësh ndërsa 39-43% për koalicionin PD-AN apo 46-58 ligjvënës, çka shënon rritje krahasuar me zgjedhjet e 2017-ës. Parashikimet janë që LSI-ja të marrë nga 3.5 në 7.5% të votave ose 8-10 mandate, tkurrje e ndjeshme nga votimet e 2017-ës.
Për PSD-në e Tom Doshit, Nismën Thurje e Lëvizjen për Ndryshim të Jozefina Topallit, sondazhi i Piepoli-t parashikon nga një mandat deputeti. Të pyetur se si e gjykojnë mandatin e dytë të qeverisë Rama, 57% e shqiptarëve japin notë pozitive kundrejt 43% që e cilësojnë qeverisje të keqe. 56% e shqiptarëve e vlerësojnë me notë negative aksionin opozitar të 4 viteve të fundit.
Sipas të dhënave të sondazhit, socialistët fitojnë 8 nga 12 qarqe gjithsej ndërsa demokratët do të ruajnë shumicën në Shkodër, Lezhë, Dibër e Kukës.
Instituti Piepoli ka bërë parashikime të sakta për proceset zgjedhore në vitet 2013 e 2017. Në ditët e ardhshme pritet të publikohen sondazhet e fundit para zgjedhjeve të së dielës.