Bota Sociale

Sot Dita Botërore e Romëve, njerëzve të shumë talenteve që kërkojnë përfshirje sociale!

Sot është Dita Ndërkombëtare e Romëve, një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu siç i kushtohet thirrjeve për përfshirje sociale. Po ashtu, kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen anëtarët e komunitetit rom në të gjithë botën.

Zyrtarisht, kjo ditë u deklarua në vitin 1990 në Poloni, gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë dhe që u mbajt në prill të vitit 1971.

Romët kanë zhvilluar traditat e tyre në muzikë, poezi, kërcim e pikturë. Muzika e tyre tradicionale, ndoshta është pjesa më e njohur e kulturës rome. Po ashtu thuhet se ka influencuar kompozitorë të mëdhenj të muzikës klasike, të tillë si Franz Liszt e Johannes Brahams. Violina, kitara dhe klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë.

Ndërkaq, kërcimi tradicional ka ruajtur elemente nga India, ashtu siç edhe ka përfshirë elemente nga kultura e vendeve ku romët kanë jetuar. Flamengo përfaqëson shembullin më të dukshëm të kontributit të romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve.

Gjuha rome është ruajtur mirë dhe flitet në të gjithë botën në dialekte të ndryshme. Vitet e fundit shumë studiues kanë punuar për ta standardizuar duke prodhuar abetare e fjalorë.

Analizat gjuhësore kanë treguar se ajo është shumë e ngjashme me gjuhët e folura në Indinë qendrore e veriore dhe besohet se kjo lidhje gjuhësore dëshmon origjinën gjeografike të romëve.

Romët kanë shkëlqyer edhe në punimet artizanale si në punimin e metalit, qëndisjen e gdhendjen e bizhuterive. Shportat e kashtës të punuara me dorë janë një tjetër produkt tipik që mban firmën e tyre.

Ende veshjet tradicionale përdoren gjerësisht në disa komunitete rome ku gratë veshin fund të gjatë të lidhur në të majtë të belit, një bluzë dekolte, jelek bolero, përparëse e vathë me ngjyra.

Flamuri rom është flamuri ndërkombëtar i romëve, i krijuar nga Unioni i Përgjithshëm i Romëve në Rumani në vitin 1933 dhe u miratua nga përfaqësuesit ndërkombëtarë romë më ’71-shin.

Ngjyra blu simbolizon qiellin, ndërsa jeshilja tokën e të korrat. Flamuri mban gjithashtu një rrotë të kuqe (chakra) në kujtim të origjinës indiane e që simbolizon zjarrin, lëvizjen dhe progresin.