Akti ligjor i Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën do të firmoset gjatë ditës së sotme. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u nis drejt Strasburgut, për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, aty ku është ftuar dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz. Ceremonia e siglimit do të zhvillohet në selinë e Parlamentit Europian e do të drejtohet nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.
Një ditë më parë, Parlamenti Europian miratoi vendimin për vizat e Kosovës, duke përmbyllur procedurat vendimmarrëse për këtë çështje e cila vijon prej kohësh. Miratimi u bë pa votim, pasi nuk pati kundërshtime. Kjo nënkupton se qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024. Ndërkaq, pjesëmarrës në ceremoninë e nënshkrimit do të jetë edhe një përfaqësues i Suedisë, vend që kryeson Bashkimin Europian në këtë 6-mujor. Ceremonia fillon në orën 14:45.
Procedura përcakton që pas nënshkrimit të vendimit, hapi i fundit mbetet botimi i vendimit në Fletoren Zyrtare. Siç dihet, regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh dhe kjo vlen për secilin shtet anëtar të zonës Schengen.
Bëhet e qartë se udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të tjera të ngjashme e në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune apo përfitime të tjera.
Aktualisht, siç është thënë në mënyrë të përsëritur, Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Kjo ndodh edhe pse që nga viti 2018, Komisioni Europian ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare të Unionit që vazhdimisht shprehnin rezerva, duke refuzuar të japin dritën jeshile. Ato i druheshin abuzimeve me vizat nga qytetarët e Kosovës.