Aktualitet Bota Sport

Sot starton Kupa e 23-të e Botës, duele legjendare/Digitalb, aty ku rreh zemra e futbollit botëror!

Sot starton Botërori i Futbollit. Në turneun që fillon në SHBA, Meksikë dhe Kanada, do të shkruhen faqe historie për t’u kujtuar. Ceremonia inauguruese merr jetë në Mexico City, para startit të ndeshjes Meksikë-Afrika e Jugut, në orën 21:00.

Kupa e 23-të e Botës në futboll, sheh Francën dhe Spanjën favorite në letër, por me siguri do të ketë shumë surpriza. Është Botërori i parë në formatin me 48 skuadra dhe që zhvillohet në 3 vende njëkohësisht: SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Ka një përshtypje se ky Botëror nuk do të ketë vetëm një fitues material me atë që do të ngrejë Kupën, por shumë fitues në proporcion të parave të spostuara në interesin e jashtëzakonshëm mediatik dhe të biznesit, pse jo dhe në rritjen e ndjekësve në rrjetet sociale, gjatë kompeticionit.

Kur flitet për yjet, nuk mund të anashkalosh dy dominuesit e 20 viteve të fundit, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Të dy luajnë Botërorin e 6-të dhe me siguri të fundit. Do të jenë ende dy pole të forta tërheqjeje për këtë turne. Portugezi ka bërë show në fund të sezonit arab. Messi në anë tjetër ka zgjedhur profilin e ulët, si zakonisht, edhe për faktin se fiziku nuk ka qenë në anën e tij gjithmonë.

Nuk duhet harruar se Messi e ka fituar Botërorin, Cristiano Ronaldo do të jepte gjithë rrjetin e hoteleve të tij apo diçka më tepër për Kupën e Botës. Nuk ka asnjë dyshim mbi impaktin e tyre mediatik. P

Pas dy fenomenëve të vjetër, në rreshtin e dytë, nisen francezi Kylian Mbappè dhe norvegjezi Erling Haaland. I dyti është kandidat kryesor për trofeun e golashënuesit më të mirë të Botërorit, nëse Norvegjia e tij do të ketë të njëjtën uri si në kualifikuese, kur ‘shtypi’ Italinë.

Në rreshtin e tretë, yje të mundshëm të këtij turneu pritet të jenë anglezët Jude Bellingham dhe Harry Kane. Qendërsulmuesi i Bajernit është në formë shumë të mirë. Nuk ka fituar asgjë deri në moshën 30 vjeç, tani po fiton thuajse gjithçka. Anglezët urojnë të jetë simboli i rilindjes së “Tre Luanëve”. Për Bellingham, rendimenti i tij do të jetë produkt i një sërë faktorësh, ai fizik mbi të gjitha.

Botërori mund të jetë vitrina perfekte edhe për një mbrojtës dhe sytë do të jenë të përqendruar te spanjolli Pau Cubarsì. Për t’u shënuar është edhe emri i kroatit Luka Vuskovic. Pastaj mund të befasojë ndonjë kampion i ndonjë vendi debutues, por është e sigurt se për këta emra do të flitet.

E mos harroni, aty ku rreh zemra e futbollit botëror, aty është edhe DigitAlb! Ndërkaq, Top Albania Radio vjen me një mbulim 360° të Kampionatit Botëror të Futbollit 2026.