Momente frike në qendër të Uashingtonit. Dy blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, në një zonë të mbushur me turistë vendas dhe ndërkombëtarë, veçanërisht në prag të Ditës së Falënderimeve, festës më të rëndësishme për amerikanët, një person hapi zjarr rreth orës 15:00 sipas asaj lokale (21:00 GMT), duke plagosur rëndë dy ushtarë të Gardës Kombëtare, forcën e vendosur nga Trump për të luftuar krimin në qytet.
Të dy të lënduarit vdiqën më vonë në spital.
I ashpër reagimi i presidentit Trump:
Ai që qëllon është një kafshë dhe do të paguajë një çmim shumë të lartë.
Ende nuk dihet nëse dy ushtarët ishin shënjestra e sulmit apo ndërhynë për të parandaluar të shtënat dhe një masakër.
Presidenti nuk ndodhej në rezidencë në kohën e sulmit, por në Mar-a-Lago të Floridës, për fundjavën e festave. I dyshuari, gjithashtu i plagosur rëndë, u arrestua në më pak se gjysmë ore, edhe falë numrit të madh të forcave policore që zakonisht janë të vendosura në atë zonë të Uashingtonit.
Garda Kombëtare, me afro 2,000 trupa është e pranishme në rrugët e kryeqytetit si pjesë e operacionit kundër krimit të nisur nga administrata Trump. Në nëntor, mandati iu zgjat deri në shkurt.
Dy ushtarët e vrarë ishin anëtarë të Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore. Guvernatori Patrick Morrisey, i cili njoftoi i pari vdekjet, theksoi se “këta qytetarë të guximshëm humbën jetën në shërbim të vendit të tyre”.
Virxhinia Perëndimore nuk do ta harrojë kurrë shërbimin e sakrificën e tyre dhe ne do të kërkojmë përgjegjësi të plotë për këtë akt të tmerrshëm.
Sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, u zotua për bashkëpunim të plotë me hetimin e FBI-ja reagoi menjëherë.
Drejtori i Byrosë, Kash Patel, u zotua për angazhimin e tij të plotë ndërsa Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, komentoi në X, duke shkruar:
Agjentët federalë janë në vendin e ngjarjes së tmerrshme, aty ku u përfshinë dy anëtarë të Gardës Kombëtare në Uashington, D.C. Ju lutem, lutuni për ta!
Që nga gushti, kur presidenti dërgoi trupa të Gardës Kombëtare në kryeqytet, nuk ka pasur incidente, megjithëse tensionet mbeten të larta në Uashington, ashtu si në qytete të tjera amerikane të “militarizuara” nga Trump. Banorët e kryeqytetit tani janë mësuar të shohin ushtarë të armatosur, të veshur me jelekë antiplumb që enden rrugëve.