Eliminatoret e Botërorit “SHBA-Meksikë-Kanada 2026” kanë marrë formë, teksa u hodh shorti, me Shqipërinë që ka përfunduar në një grup “ferri” me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho ka komentuar këtë grup të vështirë, duke thënë se skuadra kuqezi duhet të gabojë sa më pak për të arritur ëndrrën “Botëror”.
“Fillimisht, e kam thënë më shumë se një herë, ambiente të tilla janë diçka e bukur. Nga vazoja e tretë ishte e parashikuar, dy skuadra shumë të forta, më pas ne në vazon e tretë dhe dy ekipe nga vazoja e katërt dhe e pestë. Është një grup i fortë dhe i vështirë. Sot futbolli nuk është i lehtë. Të gjitha skuadrat e njohin mirë njëra-tjetrën. Me teknologjinë, mund të shikosh gjithçka. Është një grup për t’u luajtur, për t’u luftuar dhe për të shkuar deri në fund, sepse është i bukur. Të ëndërrosh se mund të shkosh në Botëror të jep shumë energji.
Gjithçka është shumë e shpejtë, nuk ka shumë kohë. Sa më pak të gabosh, aq më shumë shanse ke për të ecur përpara. Nga sot fillojmë nga zero. Të gjitha skuadrat mendojnë të shkojnë përpara, kjo është një ëndërr për shumë ekipe. Ne ëndërrojmë, por duhet të gabojmë sa më pak nëse duam të ecim përpara.
Mendimi i parë është ky, nëse gabon pak, ka mundësi të ecësh përpara, të arrish atje dhe pastaj, në tetor-nëntor, të kesh një mundësi për të shkuar në Botëror. Është një grup i vështirë, si shumë të tjerë, por duhet të luftojmë dhe të gabojmë sa më pak të jetë e mundur”, u shpreh Sylvinho në prononcimin e tij për FSHF.
LEXO EDHE: Shorti për eliminatoret e Kupës së Botës 2026, Shqipëria me Anglinë dhe Serbinë!
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka e ka komentuar këtë short si tepër të vështirë. Ai thotë se goglat nuk u treguan aspak dashamirëse me kuqezinjtë, por që skuadra do të luftojë deri në fund.
“Shorti duhet pranuar siç është. Nuk është më e mira e mundshme që mund të na sillnin goglat. Anglia është një nga ekipet më të mira në botë, është e vështirë përballja kundër tyre. Apo ndeshja me Serbinë, është vërtetë sensitive. Uroj që të shkojë mirë, të jetë mesazh bashkëpunimi, atë që duhet të bëjë futbolli. Duhet të flasim për futboll, është një grup i vështirë. Mund të ishte ndryshe, por kualifikueset e Kupës së Botës janë gjithmonë të vështira. Shumë më të vështira se kualifikueset e Europianit dhe Ligës së Kombeve.
Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të përgatitemi, të presim datat e takimeve, cili do jetë kundërshtari jonë në mars dhe të bëjmë më të mirën e mundshme për të luftuar. Kualifikueset janë për të luftuar deri në fund. Mund të na sillnin ndonjë gjë më të mirë goglat, por kohët e fundit nuk kanë qenë shumë dashamirëse me ne. Na mbetet vetëm të punojmë shumë”, u shpreh presidenti Duka për FSHF.