Teksa Tirana pret Samitin e Rrjetit më të madh të bashkive të rajonit të Ballkanit, B-40, kryebashkiaku Erion Veliaj priti homologun turk të Stambollit, Ekrem Imamoglu, si dhe një delegacion nga disa bashki të Turqisë. Veliaj tha se Tirana po e përmbyll Presidencën e B-40/-ës, duke zgjeruar rrjetin e bashkive pjesëmarrëse.
Me Presidencën e B-40/ës, Tirana ka qenë një histori suksesi, që ne duam ta vazhdojmë me presidencën e radhës dhe më vjen mirë që rrjeti ynë, nga 21 qytete anëtare ka shkuar në mbi 70 bashki. I kemi më shumë se trefishuar përpjekjet tona dhe ashtu siç po kuptojmë nga integrimi europian, integrimi mes nesh është gjithashtu shumë i rëndësishëm, vuri në dukje Veliaj.
Kryebashkiaku i Stambollit vlerësoi transformimin e Tiranës dhe tha fokusi i punës është krijimi i një mjedisi më të jetueshëm për fëmijët e të rinjtë.
Tirana është kthyer në një qytet të mirëlidhur, që mbështetet në ndërtimin e marrëdhënieve të reja e të forta të bashkëpunimit në rajonin tonë. Tirana është një qytet që ne e ndjekim me vëmendje dhe jemi krenar për historinë e saj të suksesit. Ne po investojmë dhe jemi të vendosur të krijojmë një mjedis më të jetueshëm për fëmijët, të rinjtë dhe gratë në qytetet tona.
Veliaj shprehu bindjen se pas përmbylljes me sukses të drejtimit të B-40/ës, Tirana do të shkëlqejë edhe si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut vitin tjetër.
Ky rrjet, i frymëzuar dhe i themeluar nga ju, por edhe e gjithë skuadra e përfshirë në B-40, na ka ndihmuar që të lidhemi si kurrë më përpara me vendet e tjera të Ballkanit, duke u siguruar që të mësojmë nga njëri-tjetri, që e ndihmojmë njëri-tjetrin në raste sfidash, në vështirësi si ato që kaluam me Covid-in apo tërmetin.
Nga ana tjetër, investojmë që të rinjtë tanë, që në moshë të vogël, të jenë pjesë e këtyre rrjeteve, rrjeteve të inovacionit, rrjeteve kreative, rrjeteve të kulturës. Tirana po e përmbyll këtë vit të B-40/ës, që në vitin 2025 të marrë një stafetë tjetër si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Jam i sigurt se do të shkëlqejmë edhe në atë detyrë të re.
Rrjeti i bashkive të rajonit u krijua në nëntor të vitit 2021, në një kohë kur i gjithë globi përballej me pandeminë COVID-19, si urë bashkëpunimi mes qyteteve.