Kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar shefes së re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, që Serbia të dorëzojë terroristin Milan Radoiçiç tek autoritetet e Kosovës, si organizatorin e sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
LEXO EDHE: Kurti në Kuvend: Ja pse Serbia po shton sulmet terroriste në Veriun e Kosovës
Kurti u takua sot (e martë) me Kallasin në Bruksel.
“Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Theksova se kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur dhe njëkohësisht kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat rezultuan me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
Kryekrimineli i bandës që kreu sulmin në Banjskë – mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiçit tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqësh dhe grupin e tij prej mbi 40 personave”, ka thënë Kurti.
Më herët gjatë ditës, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Beogradi është i gatshëm të bashkëpunojë në kryerjen e një hetimi me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe institucionet sa i përket shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok të Kosovës.
“Nëse [shpërthimi] është kryer nga ndokush që është i kombësisë serbe, dhe ai është në territorin nën të cilin ka kontroll efektiv Serbia, ai do të ndalohet dhe arrestohet në sekondë. Deri më tani, nuk kemi informacione të tilla”, tha Vuçiç për gazetarët në Beograd.
Ai tha se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe në disa mënyra edhe me institucionet në Prishtinë, pa vënë në rrezik sovranitetin dhe pavarësinë e Serbisë.
Vuçiç tha se më pak e rëndësishmja është se kush është autori, dhe më e rëndësishmja është se kush qëndron pas shpërthimit, duke hedhur poshtë mundësinë që prapa kësaj të jetë Rusia.
Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.
Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar.