Aktualitet

TAP, gazsjellësi që kalon në Shqipëri furnizon BE-në, sot transportoi sasinë e parë prej 10 miliardë metër kub

Pas refuzimit për të certifikuar “Nord Stream 2” nga Rusia si pasojë e sulmit në Ukrainë, Bashkimi Evropian sot i garantoi vetes 10 miliardë metër kub gaz, nga Gazsjellësi Trans-Adriatik, i cili kalon edhe në Shqipëri. Luca Schieppati, Drejtori Menaxherial i TAP-it tha se kjo sasi mund të vijë duke u rritur në të ardhmen.

“Aktualisht, kemi mundësinë të arrijmë kapacitetin e plotë të transportit prej 10 miliardë metër kub në vit. Për më tepër, mund të shtojmë më tej kapacitet nëpërmjet ankandeve me afat të shkurtër.”

Marija Savova, Drejtore Komerciale e TAP-it shtoi se ky hap i parë e bën gazsjellësin një projekt të besueshëm për sigurinë europiane të energjisë.

“Transporti i sasisë së parë të gazit natyror prej 10 miliardë metër kub në Europë, rrit likuiditetin në tregjet e gazit dhe përforcon rolin e TAP si një transportues i besueshëm që mund të japë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë e energjisë në Europë.”

Gazsjellësi Trans-Adriatik TAP transporton gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz-it në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Europë. I gjatë afërsisht 878 km, ai lidhet me gazsjellësin Trans-Anatolian pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.