Bota

Tarifa amerikane për shkak të Groenlandës, BE-ja: Do të ketë pasoja!

Ambasadorët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian, sot mblidhen në një takim urgjent, për të diskutuar përgjigjen ndaj kërcënimit amerikan për tarifa, si përgjigje të kundërshtimit që kanë për Groenlandën. Brukseli paralajmëron një “spirale të rrezikshme rënëse” pas zotimit të presidentit Trump për tarifa në rritje kundrejt aleatëve evropianë, nëse e pengojnë Amerikën të blejë Groenlandën.

Në një postim në Truth Social, Trump tha se tarifa shtesë prej 10% për importet do të hyjnë në fuqi më 1 shkurt për mallrat nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Holanda, Finlanda dhe Britania e Madhe.

Nga 1 qershori do të rriten në 25%, pa u ndaluar, derisa të arrihet një marrëveshje që SHBA-të të blejnë Groenlandën, shkroi Trump.

Tarifat do të minonin marrëdhëniet transatlantike e do të rrezikonin një spirale të rrezikshme rënëse. Evropa do të mbetet e bashkuar, e koordinuar dhe e përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin e saj, theksuan presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kreu i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, në postime në X.

Kryediplomatja e bllokut, Kaja Kallas, tha se tarifat dëmtojnë prosperitetin në të dy anët e Atlantikut, si edhe do ta shpërqendronin BE-në nga “detyra e saj kryesore”, për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

Kina dhe Rusia duhet të jenë duke u kënaqur. Janë ato që përfitojnë nga përçarjet mes aleatëve, shkroi Kallas në X. Tarifat rrezikojnë t’i bëjnë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara më të varfra e të minojnë prosperitetin tonë të përbashkët. Nëse siguria e Groenlandës është në rrezik, ne mund ta trajtojmë këtë brenda NATO-s.

Ndërkohë, Trump po intensifikon përpjekjet për të marrë nën kontroll ishullin autonom arktik. Shefi i Shtëpisë së Bardhë argumenton se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën e pasur me minerale dhe akuzon Danimarkën se nuk po bën mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e saj kundër rivalëve amerikanë, Rusisë e Kinës.

Ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës vizituan Shtëpinë e Bardhë më 14 janar, për bisedime që synonin uljen e tensioneve. Pas takimit thanë se vazhdojnë të kenë “mospajtime thelbësore” me Trump-in.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Groenlanda ranë dakord të krijojnë një grup pune për të vazhduar bisedimet çdo dy deri në tre javë.