Më shumë tragjedi me armë zjarri në SHBA, 6 viktima në Alabama, Pensilvani e Kentaki. Katër adoleshentë u vranë gjatë një feste ditëlindjeje në Dadeville të Alabamës e 28 persona u plagosën. Policia ende nuk ka konfirmuar numrin e viktimave apo nëse vrasësi u arrestua.
Nuk ka vend për krime të dhunshme në shtetin tonë – tha guvernatori i Alabamës, republikani Kay Ivey.
Në Louisville të Kentakit, një burrë qëlloi në një park me njerëz duke lënë të vdekur dy vetë dhe katër u plagosën. Ndërkaq, dy studentë u lënduan nga të shtënat në kampusin e Universitetit Lincoln në Pensilvani.
Në Chickasaw Park, bilanci i viktimave mund të ishte shumë më serioz sepse parku ka qenë i mbushur me njerëz që gjendeshin aty për të shijuar fundjavën. Sërish nuk dihet motivi dhe agjentët e policisë ende janë në ndjekje të vrasësit.
Prej fillimit të vitit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka patur më tepër se 150 të shtëna masive, më shumë se e njëjta periudhë e 2022-shit. Madje, në këtë shifër alarmante nuk përfshihen masakrat që ndodhin brenda mureve të shtëpisë, pasi nuk publikohen në mediat amerikane.
Një plagë që duket se nuk ka zgjidhje pavarësisht apeleve të përsëritura të presidentit Joe Biden drejtuar Kongresit Amerikan për të ndaluar shitjen e atyre që i quan “armë lufte”. Po ashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë kërkon të vihen më shumë kontrolle mbi moshën dhe të kaluarën e atyre që duan të blejnë armë. Por, mesazhi nuk arrin në një vend me 300 milion banorë dhe 400 milion armë.
Lobi i armëve, National Rifle Association është aq i fuqishëm në Shtetet e Bashkuara sa ndikoi që në konventën më të fundit të organizuar të kishte të pranishëm emra të njohur të republikanëve, me në krye ish-presidentin Donald Trump. Duket se ata i janë betuar për besnikëri të përjetshme.