Bota

Të shtëna me armë në veri të Tel Avivit: Një i vdekur, gjashtë të plagosur!

Një person u vra nga të shtënat me armë zjarri në veri të Tel Avivit, në Kochav Ya’ir të Izraelit dhe gjashtë të tjerë u plagosën.

Policia izraelite njoftoi se kapi një të dyshuar e pas një kërkimi të shkurtër, ndaloi edhe një person të dytë. Në shtetin hebraik, mediat raportuan se një nga terroristët e përfshirë në sulm, një arab izraelit, u “eliminua”. Forcat Shin Bet u vendosën në zonë.

Ndërkohë, ushtria e Izraelit, sot bëri të ditur se të martën neutralizoi një operativ të dyshuar të Hamasit, i cili sipas saj, “mori pjesë në masakrën e 7 tetorit”.

Sakr Abu Karim, komandant i një qelize të Hamasit Nukhba, ishte ndër udhëheqësit e sulmit ndaj Kibbutz Kissufim gjatë masakrës së 7 tetorit.

Gjatë luftës, Abu Karim planifikoi dhe kreu sulme kundër trupave izraelite që vepronin në Gaza.

Muajt e fundit, Karim shkeli marrëveshjen e armëpushimit, mbajti një sasi të madhe armësh në shtëpinë e tij dhe mori pjesë në përpjekjet për të rindërtuar organizatën e për të kryer trajnime terroriste, me qëllim kryerjen e sulmeve të mëtejshme.

Me Sakr Abu Karim, një tjetër terrorist që punonte si oficer komunikimi për Hamasin u vra gjithashtu në sulm.

Ndërkohë, me tensionet e vazhdueshme mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Iranit dhe sulmet e tensionet ndërmjet Izraelit e Hezbollahut, sidomos në Libanin jugor, armëpushimi është gjithnjë e më i brishtë dhe paqja duket gjithnjë e më e largët, pavarësisht negociatave të vazhdueshme.

Sot, forcat amerikane në Lindjen e Mesme rrëzuan dy dronë sulmues iranianë që kërcënonin trafikun detar ndërkombëtar në Ngushticën e Hormuzit, u theksua në një postim në X nga Centcom-i i SHBA-ve.

Ministri i Sigurisë së Brendshme, Itamar Ben Gvir, njoftoi se autorët e të shtënave në zonën Kochav Ya’ir të Izraelit qendror do të ekzekutohen.

Ky është ligji dhe ne do të kërkojmë zbatimin e tij, shkroi ministri në një postim në X, duke iu referuar ligjit të miratuar së fundmi e që përcakton dënimin me vdekje për terroristët.

Gjaku hebre nuk duhet të konsiderohet i shpenzueshëm. Kushdo që vret një hebre do të shohë litarin e trekëmbëshit, shtoi Ben Gvir.