Bota

Të shtëna në Shtëpinë e Bardhë me Trump-in brenda, Shërbimi Sekret vrau agresorin!

Pavarësisht moshës së re, vetëm 21 vjeç, Nasire Best ishte i njohur për agjentët e Shërbimit Sekret amerikan edhe para se jashtë Shtëpisë së Bardhë të shkaktonte një shkëmbim zjarri në një pikë kontrolli sigurie, duke plagosur një kalimtar dhe të vritej nga agjentët. Sipas raportimeve të medias amerikane, Best kishte kontakte të mëparshme me policinë dhe me agjentë përgjegjës për mbrojtjen e presidentit të SHBA-ve.

Pretendoi të ishte Zoti

Në të paktën dy raste midis qershorit dhe korrikut 2025, Best u ndalua pranë Shtëpisë së Bardhë pasi u përfshi në sjellje të konsideruara shqetësuese. Në një rast, bllokoi një korsi hyrjeje për në kompleksin presidencial, duke pretenduar të ishte “Zoti”, një incident që çoi në pranimin e tij në Institutin Psikiatrik të Uashingtonit për vlerësim.

Disa javë më vonë, u arrestua përsëri pasi u përpoq të hynte në një parking makinash në objekt. Një gjyqtar e urdhëroi të qëndronte larg territorit të Shtëpisë së Bardhë. Autoritetet thanë se i riu nuk kishte treguar kurrë shenja dhune dhe as nuk ishte parë me armë para të shtënave.

Në internet, ai shkroi “Unë jam Bin Ladeni”

Hetuesit analizuan gjithashtu aktivitetin e Nasire Best në mediat sociale për njëfarë kohe. Sipas CNN-it, 21-vjeçari kishte postuar disa mesazhe duke e quajtur veten “Osama Bin Laden-i i vërtetë”, ndërsa në të tjera, shprehte dëshirën për të dëmtuar presidentin Donald Trump.

Deklaratat e tij u konsideruan si shenjë e një gjendjeje të brishtë psikologjike dhe më parë kishin tërhequr vëmendjen e organeve ligjzbatuese. Pavarësisht kësaj, një burim i cituar nga mediat amerikane shpjegoi se oficerët nuk kishin regjistruar kurrë ndonjë sjellje apo incident konkret agresiv ku Best të tregonte një armë.

Çfarë ndodhi në Shtëpinë e Bardhë?

Të shtënat ndodhën rreth orës 06:10 pasdite sipas asaj lokale, pranë njërës prej pikave të kontrollit pranë perimetrit të Shtëpisë së Bardhë. Brenda pak çastesh, u dëgjuan të paktën 20 të shtëna, referuar raportimeve fillestare dhe izolimi ndodhi në pak çaste.

Nasire Best hapi zjarr ndaj agjentëve të Shërbimit Sekret, të cilët u përgjigjën duke qëlluar. I riu vdiq pak pasi u dërgua në spital. Një person që ndodhej rastësisht në zonë u plagos rëndë. Në kohën e incidentit, Trump ishte brenda Shtëpisë së Bardhë, duke marrë pjesë në takime kushtuar negociatave me Iranin.