Policia e Shtetit ka dhënë detaje mbi një operacion të zhvilluar në zonën e Mamurrasit, ku gjatë ndërhyrjes për kapjen e një personi në kërkim ka pasur përplasje dhe shkëmbim zjarri me efektivët.
Sipas njoftimit zyrtar, dy shtetas janë neutralizuar dhe arrestuar, ndërsa njëri prej tyre ishte i shpallur në kërkim dhe i dënuar në Itali për tentativë vrasjeje. Personi tjetër që e shoqëronte rezulton i armatosur.
Gjatë ndërhyrjes, i kërkuari, 23 vjeç, është plagosur dhe është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor.
Policia ka sekuestruar edhe një armë zjarri pistoletë që posedonte personi shoqërues i të kërkuarit.
Njoftimi i policisë:
Tentuan të përplasnin me automjet efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale duke iu rrezikuar jetën, neutralizohen dhe arrestohen 2 shtetas.
Njëri prej tyre ishte i shpallur në kërkim, i dënuar në Itali për tentativë vrasjeje, ndërsa shtetasi që e shoqëronte ishte i armatosur.
Gjatë neutralizimit është plagosur 23-vjeçari në kërkim, i cili është transportuar në Spitalin e Traumës.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë që posedonte shtetasi që shoqëronte të kërkuarin.
Në vijim të operacioneve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të realizuara pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve operacionale me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen e shtetasve në kërkim, është administruar informacion për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim Leonard Dema, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos, për tentativë vrasjeje.
Gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit, në momentin e ndërhyrjes, në një karburant në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, 23-vjeçari, që shoqërohej nga shtetasi A. F, dhe lëvizte me automjet, sapo ka konstatuar efektivët, ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke u rrezikuar jetën, si dhe personi shoqërues iu ka drejtuar armën e zjarrit pistoletë, shërbimeve të Policisë.
Shërbimet e Policisë, në kushtet e vetëmbrojtjes, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tyre, kanë plagosur shtetasin Leonard Dema, i cili është në kujdesin e mjekëve.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit A. F., 28 vjeç, që shoqëronte shtetasin në kërkim.
Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë.
Vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me AMP-në, dhe në drejtimin e Prokurorisë.