Irani është gati të shqyrtojë kompromiset për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me Shtetet e Bashkuara, nëse Uashingtoni pranon të diskutojë heqjen e sanksioneve. Kështu deklaroi zv.ministri i Jashtëm, Majid Takht-Ravanchi, në një intervistë për BBC-në, të publikuar sot.
Teherani shpreh gatishmërinë për të diskutuar kufizime mbi programin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, por përsërit se nuk do ta lidhë këtë çështje me tema të tjera, si programi i raketave.
Takht-Ravanchi konfirmoi se raundi i dytë i bisedimeve bërthamore do të zhvillohet të martën në Gjenevë, pas rifillimit të kontakteve mes dy vendeve në Oman më herët këtë muaj.
Bisedimet fillestare shkuan më shumë a më pak në drejtim pozitiv, por është ende herët për të gjykuar.
Një delegacion amerikan, ku përfshihen Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të takohet me përfaqësuesit iranianë të martën në mëngjes, me ndërmjetësimin e autoriteteve të Omanit.
Shefi i energjisë atomike të Iranit deklaroi se “vendi mund të pranojë të hollojë uraniumin e pasuruar në shkallën më të lartë, nëse të gjitha sanksionet financiare hiqen”.
Takht-Ravanchi e përdori këtë shembull për të theksuar fleksibilitetin e Iranit. Megjithatë, përsëriti se Republika Islamike nuk do të pranojë “zero pasurim të uraniumit”, një pikë që ka qenë pengesë kryesore për marrëveshjen vitin e kaluar.
Pasurimin e uraniumit brenda Iranit, Shtetet e Bashkuara e shohin si një rrugë drejt armëve bërthamore, gjë që Irani e mohon.
Kujtojmë se gjatë mandatit të tij të parë, presidenti Donald Trump i tërhoqi SHBA-të nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) dhe që ishte një nga arritjet kryesore të politikës së jashtme të ish-presidentit Barack Obama.
Marrëveshja parashikonte lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit e kjo në këmbim të kufizimit të programit bërthamor, për të parandaluar aftësinë e Teheranit për të prodhuar një bombë atomike.