Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten të hyjnë në diskutime për tërheqjen e trupave nga Europa, referuar ambasadorit të tyre në NATO. Matthew Whitaker tha se propozimet për të larguar dhjetëra mijëra trupa nga kontinenti do të diskutohen “më vonë gjatë vitit”.
Vazhdimisht, Donald Trump i ka qortuar vendet e NATO-s për dështimin në përmbushjen e objektivit të shpenzimeve të mbrojtjes prej të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke argumentuar se “pabarazia i vendos një barrë të padrejtë Shteteve të Bashkuara”.
I pyetur për të komentuar mbi një raportim se Trump po shqyrton tërheqjen e trupave nga Europa, Whitaker tha se “asgjë nuk është përcaktuar”, por vuri në dukje se aleatët ishin të gatshëm të zhvillonin diskutimin.
Do t’i zhvillojmë këto biseda në strukturën e NATO-s. Sigurisht që pas samitit, diku më vonë gjatë vitit do të fillojmë këto biseda… Të gjithë aleatët tanë janë gati.
Diplomati iu referua samitit të NATO-s në Hagë, në muajin qershor.
Tërheqja e trupave nga Gjermania
Në muajin mars, Telegraph zbuloi se presidenti amerikan po shqyrtonte tërheqjen e rreth 35 mijë trupave, personel aktiv në Gjermani. Pati zëra se presidenti Trump po shqyrtonte ripozicionimin e disa trupave në Europë për t’iu afruar vendeve të NATO-s, që kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes, për të përmbushur objektivat.
Tërheqja mendohet të jetë pjesë e planeve të administratës për të ripërcaktuar angazhimin e NATO-s në një mënyrë që favorizon vendet anëtare me shpenzime më të larta për mbrojtjen. Frika europiane në lidhje me angazhimin e SHBA-ve ndaj NATO-s është rritur prej kohësh.
Pete Hegseth, sekretari i Mbrojtjes, iu tha aleatëve të NATO-s në muajin shkurt se “realitetet e zymta strategjike i pengojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përqendrohen kryesisht në sigurinë e Europës”.
Gjatë mandatit të tij të parë, Donald Trump urdhëroi tërheqjen e pothuajse 12 mijë trupave nga Gjermania, ku Amerika kishte disa objekte të mëdha ushtarake, përfshirë Bazën Ajrore Ramstein, selinë e Komandës Europiane të SHBA-ve. Por, ky veprim u ndalua nga pasuesi demokrat Joe Biden, për shkak të kritikave të shumta nga Kongresi Amerikan.