Rajoni

Pentagoni: Nuk ka ndryshime të planifikuara për trupat në Kosovë!

Prej më shumë se 25 vitesh, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ofron siguri. Por, në kohën kur zyrtarët amerikanë sinjalizojnë zvogëlimin e mundshëm të pranisë së tyre ushtarake në Europë, lindin edhe pyetjet: a do të mbeten ushtarët amerikanë në KFOR apo do të kërkonte administrata Trump favore në këmbim të tyre?

Nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes thonë për Radion Evropa e Lirë se tani për tani, nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket pozicionimit të forcave të tyre. Por, me tensionet e vazhdueshme në Ballkan dhe me ndryshimin e prioriteteve globale, Kosova duhet të përgatitet për çdo skenar, shprehen ish-zyrtarë të NATO-s.

Çdo ushtar i KFOR-it e kupton plotësisht dhe qartë detyrën e tij për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës, deklaroi më 25 qershor të 1999-ës komandanti i atëhershëm i misionit paqeruajtës të NATO-s, Mike Jackson.

Kjo forcë nisi të dislokohej në Kosovë atë muaj, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila detyroi tërheqjen e plotë të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova. Fillimisht, përbëhej nga rreth 50 mijë trupa, për të zbritur me kalimin e viteve në afro 4.600.

Më shumë se 25 vjet më vonë, misioni i saj mbetet i njëjtë: “ruajtja e një mjedisi të sigurt për të gjithë”, por e ardhmja e forcës disi e diskutueshme. Një zyrtar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes konfirmon për Radion Evropa e Lirë se “tani për tani, nuk ka asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave”.

Por, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, “është transaksional” dhe se mund të kërkojë nga Kosova favore, në këmbim të mbajtjes së trupave.

Ndaj, jini të përgatitur, shprehet Shea për Radion Evropa e Lirë.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, vlerëson se vendi, aktualisht, nuk është në gjendje të vetëmbrohet.

Fillimisht, ishte sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili porositi Europën se duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim të mundshëm të pranisë ushtarake amerikane. Gjatë një vizite në Varshavë, muajin e kaluar, Hegseth deklaroi se e ardhmja e saj do të varet nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike amerikane.