Një tërmet me magnitudë 7.1 goditi këtë të hënë jugun e Japonisë, duke shkaktuar shembje ndërtesash, probleme të mëdha në transport dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Lëkundja u regjistrua në orën 09:27 me orën e Shqipërisë (16:27 me orën lokale) dhe preku qytetin Kumamoto në ishullin Kyushu.
Sipas kryeministres japoneze, Sanae Takaichi, bilanci i dëmeve është ende në vlerësim, por deri tani raportohen disa të plagosur, ndërtesa të shembura, rrugë dhe ura të dëmtuara, si edhe zjarre dhe ndërprerje të energjisë në disa zona.
“Po vlerësojmë ende përmasat e dëmeve, por më është bërë e ditur se ka tashmë disa të plagosur”, deklaroi ajo. Më pas, kryeministrja njoftoi ngritjen e një task-force dhe dërgimin e 3.600 ushtarëve në prefekturën Kumamoto. “Ky është një moment shumë delikat dhe prioriteti ynë është të shpëtojmë jetë njerëzish”, tha Takaichi.
Sipas televizionit publik NHK, të paktën 50 persona janë shtruar në spital në Kumamoto dhe 50 të tjerë në spitalin e Hikawas. Raportohet gjithashtu për të paktën 12 shtëpi të shembura dhe katër persona të bllokuar nën rrënoja.
Policia njoftoi se ka marrë raportime për një “shpërthim” brenda qendrës tregtare Aeon Mall. NHK raportoi se shumë persona kanë mbetur të bllokuar, ndërsa rreth 200 të tjerë janë evakuuar në parkingun e qendrës tregtare. Ndërkohë, televizioni TBS flet për një numër “të konsiderueshëm” viktimash pas shembjes së objektit.
Tërmeti shkaktoi edhe probleme të mëdha në transport. Një tren mallrash doli nga shinat, aeroporti Aso Kumamoto pezulloi të gjitha operacionet deri në një njoftim të dytë, ndërsa u ndërpre qarkullimi në disa autostrada dhe në linjat e trenave të shpejtësisë së lartë dhe atyre lokalë. Rreth 48.300 banesa mbetën pa energji elektrike, ndërsa në disa zona u raportuan edhe zjarre të izoluara.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë shpalli fillimisht alarm për cunami me valë mbi një metër, por pak më vonë e hoqi paralajmërimin. Epiqendra e tërmetit u lokalizua në qytetin Uki, në jug të Kumamotos, në një thellësi prej 10 kilometrash.
Autoritetet paralajmëruan se zona po përjeton aktivitet të fortë sizmik dhe u bënë thirrje banorëve të tregojnë kujdes gjatë dy ose tre ditëve të ardhshme për shkak të rrezikut të lëkundjeve të tjera të fuqishme. Sipas The Guardian, rreth 300 mijë persona janë ftuar të largohen nga zonat e rrezikuara.
Kontrollet e para nuk kanë evidentuar probleme në centralet bërthamore. Kompania Kyushu Electric Power bëri të ditur se tre reaktorët bërthamorë që ishin në funksion në momentin e tërmetit vazhdojnë të punojnë normalisht.
Kumamoto ishte goditur edhe në prill të vitit 2016 nga dy tërmete të forta që shkaktuan 278 viktima dhe rreth 2.800 të plagosur, ndërsa dëmtuan rëndë edhe kështjellën historike të qytetit. Sipas raportimeve, monumenti ka pësuar dëmtime të reja edhe nga tërmeti i së hënës.