Bota Tech

TikTok-u finalizon marrëveshjen për të shmangur mbylljen në SHBA!

Pronari kinez i TikTok-ut, ByteDance, njoftoi finalizoi një marrëveshje për krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët në pronësi amerikane që do t’i ruajë të dhënat në SHBA, që të shmangë mbylljen e aplikacionit të videove të shkurtra në Amerikë. TikTok-u i ka mbi 200 milion përdorues amerikanë.

Kjo marrëveshje përbën moment kyç për kompaninë e rrjeteve sociale, pas përplasjeve disavjeçare, teksa presidenti amerikan Donald Trump u përpoq ta mbyllte aplikacionin për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë kombëtare.

Më pas, Trump vendosi të mos e zbatojë një ligj të miratuar në prill 2024, që ByteDance t’i shiste asetet e veta në SHBA deri në janarin pasues ose të përballej me mbyllje. Kjo masë u mbështet edhe nga Gjykata e Lartë.

ByteDance theksoi se ndërmarrja e re, TikTok USDS Joint Venture LLC do t’i ruajë të dhënat e përdoruesve amerikanë, aplikacionet dhe algoritmet përmes masave të privatësisë së të dhënave e sigurisë kibernetike.

Kompania dha pak hollësi lidhur me procesin e shkëputjes së pronësisë. Trump e vlerësoi marrëveshjen në një postim në rrjetet sociale, duke thënë se tani, TikTok-u “do të jetë në pronësi të një grupi patriotësh dhe investitorësh të mëdhenj amerikanë, më të mëdhenjtë në botë”.

Presidentin e Kinës, Xi Jinping e falënderoi “për bashkëpunimin me ne dhe në fund, për miratimin e marrëveshjes. Ai mund të kishte vepruar ndryshe, por nuk e bëri, ndaj çmohet për vendimin e tij”.

Sipas akordit, investitorët amerikanë dhe ndërkombëtarë do ta zotërojnë 80.1% të ndërmarrjes, ndërsa ByteDance do të mbajë 19.9% të aksioneve.

Tre investitorët menaxhues të TikTok USDS JV: gjiganti i informatikës cloud Oracle, grupi i kapitalit privat Silver Lake dhe firma investuese MGX me seli në Abu Dhabi do të zotërojnë secili nga 15%.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Reuters-it se qeveritë e SHBA-së dhe Kinës e kanë miratuar marrëveshjen.

Trump ka më shumë se 16 milion ndjekës në llogarinë e tij personale në TikTok dhe tha se ky aplikacion e ndihmoi në fitoren e zgjedhjeve presidenciale. Shtëpia e Bardhë gjithashtu hapi llogari zyrtare në TikTok, në muajin gusht.

TikTok njoftoi se investitorët përfshijnë Dell Family Office, si dhe Vastmere Strategic Investments, Alpha Wave Partners, Revolution, Merritt Way, Via Nova, Virgo LI e NJJ Capital.