Bota

Amerika me valë të re sulmesh kundër Iranit!

Ushtria amerikane tha se ka kryer një valë të re sulmesh ndaj Iranit, me synimin për t’ia dobësuar më tej aftësitë për të sulmuar anijet në Ngushticën e Hormuzit. Kjo ishte nata e dhjetë radhazi e operacioneve ushtarake, pasi presidenti Trump u zotua se do ta ndëshkojë Iranin për vrasjen e tre ushtarëve amerikanë në Jordani.

Në përgjigje të sulmeve të fundit, Irani goditi dy cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, si dhe objekte ushtarake amerikane në Bahrejn e Kuvajt.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se vendi i tij po zhvillon “luftë të plotë” me Shtetet e Bashkuara. Garda Revolucionare Islamike njoftoi se ka në shënjestër edhe infrastrukturën e kompanisë amerikane Amazon në Bahrejn.

Sipas mediave shtetërore iraniane, infrastruktura qendrore e të dhënave e kompanisë u godit dhe u shkatërrua me disa raketa lundruese.

Teherani konfirmoi po ashtu se pavarësisht dështimit të armëpushimit, mes palëve vazhdon shkëmbimi i mesazheve diplomatike, përmes ndërmjetësve.

Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM) njoftoi në rrjetin X se sulmet e fundit kishin në shënjestër qendra të komandës ushtarake iraniane, kapacitete detare, pozicione për lëshimin e raketave e dronëve, si dhe sistemet e mbrojtjes ajrore.

Sipas CENTCOM-it, anijet tregtare kanë vazhduar të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.