Tirana merr 3 pikë të arta në “Niko Dovana”, teksa mposhti 4-1 Laçin. Ndeshja u zhbllokua shumë shpejt, me bardheblutë që kaluan në epërsi. Kola u tregua i saktë me kokë, duke shfrytëzuar në maksimum atë harkim në zonë. Kurbinasit u përpoqën që të reagojnë dhe vendosën ekuilibrat. Pas një dalje të pastudiuar mirë të portierit Selmani, Traore përfitoi dhe ia doli që me klas të dërgojë topin në fund të rrjetës.
Ekipi i Shkëmbit u rikthye në avantazh përsëri, teksa Zharmuni shënoi me një të majtë tokazi, pas një aksioni të shpejtë. Çerek ore para fundit të ndeshjes, Ernest siguroi fitoren për Tiranën.
Tirana kështu renditet në vendin e tetë me 29 pikë dhe synon që të largohet nga zona e ftohtë, sa më shpejt të jetë e mundur. Laçi është në vendin e pestë me 31 pikë.
Pas ndeshjes, trajneri i Tiranës, Shkëmbi deklaroi:
“Fitore për pikë, që janë të rëndësishme. Treguam karakter, bëmë një ndeshje pozitive. Pjesën e parë patëm vështirësi, vuajtëm agresivitetin e ekipit të Laçit. Në fund jemi të kënaqur me pikët.
Vuajtëm sidomos qarkullimin e topit. Mendoj shumë meritë kishte ekipi i Laçit, që bëri presion të mirë. Po luanim 1 kundër 1. Të dy krahët, sin ë mbrojtje dhe në sulm nuk bënë maksimumin. Vera luante me këmbën e kundërt, Ndreca nuk është në pozicionin natyral. Të qetëson goli i dytë, i tretë. Jam i kënaqur sepse sot pjesën e dytë menaxhuam mirë rezultatin.
Nuk menduam sot në varësi të kundërshtarit, kishim probleme fizike me disa lojtarë. Smaçi bëri pjesë të mirë në 45 minutat e para. Të tre sulmuesit, edhe ato që kemi, jam i kënaqur dhe shpresoj që në këtë fazë të bëjnë më shumë.
Ne deri në momentin që shënuam golin dhe pësuam, pavarësisht ndryshimit të rreshtimit, kishim momente të mira. Patjetër që pësuam golin, na u kthyen fantazmat. Ideja ime ishte që ka kohë, kemi mundësi rikuperimi. E ndjeja që skuadra në pjesën e dytë do të vinte duke u përmirësuar dhe Laçi nuk do arrinte të bënte atë presing një kundër një për 90 minuta. Në pushim u kam thënë lojtarëve që duhet të vazhdojmë të provojmë dhe luajmë se patjetër që kundërshtari do çedojë në fazën mbrojtëse”, u shpreh Shkëmbi.
Trajneri i Laçit, Moriero, deklaroi pas ndeshjes:
“Sot bëmë një pjesë të parë të mirë. Morëm një gol në goditje standarde, linja mbrojtëse nuk ishte vendosur mirë. Patëm forcën për të rikuperuar në pjesën e parë, kur barazuam. Në pjesën e dytë morëm një gol kur kishim topin ne, një në kundërsulm, golin e tretë se mungoi presioni dhe i katërti për gabim individual. E dimë që është e vështirë. Do analizojmë humbjen dhe të rikuperojmë.
Probleme nuk kemi, thjesht kemi gabuar kohët e daljes në presing. Pra do rishikohet ndeshja dhe do analizohen më mirë gabimet që janë bërë. Për mua shumë e thjesht te fajësoja lojtarët sot. Jam trajneri dhe përgjegjësi. Puna ime që t’i bëj të përmirësohen. Duhet të rikarikohemi. Nuk kemi kohë për të rikuperuar pikët se faza po mbaron”, – u shpreh Moriero.
Elbasani nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Skënderbeut. Në minutën e 57-të, ndeshja u kthye në “malore” për korçarët, që mbetën me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Dumfur.
Në Elbasan, vendasit patën shansin e artë për të gjetur golin e fitores pasi Estrela shkaktoi penallti, por 11-metërshi nuk u ekzekutua si duhet nga Musta. Elbasani është në vendi ne pestë me 35 pikë ndërsa Skënderbeu mbyll klasifikimin.