Si një nga vendet që ka përjetuar një tranzicion të madh përgjatë dekadave të fundit, Shqipëria është një nga vendet e prekura mjaft nga trafikimi i qenieve njerëzore. Varfëria, niveli i arsimimit, dhe përballja e shpejtë me botën perëndimore pas një izolimi afatgjatë bëri që vendi ynë të gjendej ballë për ballë me problematika të tilla si trafiku i qenieve njerëzore, trafiku i lëndëve narkotike, krimi i organizuar etj.
Viktimat kanë qenë të shumta e fatkeqësisht shifrat nuk janë sërish edhe aq optimiste në raport me vendet europiane, megjithatë si një fenomen që dëmton e madje shkatërron shoqërinë, të shumta kanë qenë edhe masat që janë ndërmarrë kundër këtij fenomeni.
Qeveria, shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare kanë luajtur një rol mjaft të rëndësishën në kufizimin e këtij fenomeni por edhe ndërgjegjësimin duke nisur nga fëmijët në bankat e shkollës.
Por edhe organizata ndërkombëtare si Unicef (Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijet) ka bërë një punë të shkëlqyer nga vitit 1992 në Shqipëri lidhur me informimin dhe parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe fëmijëve.
Sipas UNICEF në të gjithë vendin janë evidentuar rreth 13 mijë persona të trafikuar ose në rrezik për t’u trafikuar. Kjo ka shtyrë UNICEF-in për të ngritur katër grupe pune me ekspertë në 6 prej qarqeve të vendit, për të identifikuar situatën e trafikimit në Shqipëri.
Pjesa më e rrezikuar për trafikim janë fëmijët, një pjesë e tyre trafikohen drejt Anglisë apo vendeve të tjera të BE nga vetë prindërit. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se, vetëm gjatë vitit të kaluar, u regjistruan 109 fëmijë si viktima të mundshme të trafikimit, tre fëmijë të tjerë të trafikuar, ndërsa 67 fëmijë kërkuan azil në vendet e BE.
Shkodra është një nga 6 qarqet e Shqipërisë ku UNICEF-i po punon për identifikimin e viktimave të trafikimit.
Qeveria ka përmirësuar aftësinë e saj për të identifikuar, mbrojtur dhe riintegruar viktimat e trafikimit. Ajo gjithashtu ka ndjekur penalisht me sukses disa shkelës të trafikimit seksual, duke vendosur dënime të rëndësishme. Në mars 2009, qeveria miratoi një ndryshim në ligjin e Ndihmës Sociale, i cili do t’u sigurojë viktimave të trafikimit të njëjtat përfitime sociale, të akorduara për grupe të tjera në rrezik në Shqipëri dhe të sigurojë fonde qeveritare për strehimore. Qeveria vazhdon të gjurmojë dhe analizojë tendencat e trafikimit përmes një baze të dhënash mbarëkombëtare. Zyrtarët qeveritarë kanë rritur vëmendjen e publikut ndaj trafikimit në Shqipëri. Sidoqoftë, ekzistojnë shqetësime serioze për mbrojtjen e viktimave që dëshmuan kundër trafikantëve të tyre. Qeveria nuk ka ndjekur penalisht ashpër shkelësit e trafikimit të punës
UNICEF Shqipëri mbështet reformat e qeverisë, nismat e shoqërisë civile dhe studimet që i ndihmojnë të gjithë fëmijët të gëzojnë të drejtat e tyre njerëzore. Teksa Shqipëria po synon integrimin në Bashkimin Evropian, UNICEF garanton që asnjë fëmijë të mos mbetet pas, dhe se zhvillimi mbështetet në parimin e drejtësisë.
Së fundmi kjo organizatë i është drejtuar qeverisë shqiptare me kërkesën për hartimin e një ligji të veçantë për integrimin e viktimave të trafikimit, pasi një ligj i tillë mungon deri tani.
Prandaj UNICEF është vetëm një nga hallkat që funskionon më së miri në parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore. Ka akoma shumë punë për të bërë dhe sigurisht bashkëpunimi mes instancave shtetërore dhe atyre joqeveritare prodhon fryte të jashtëzakonshme që do ta përmirësonin Shqipërinë lidhur me këtë fenomen./Edi Hallaçi