Tregtarët kërcënuan me mbyllje të pikave të karburanteve, nëse Qeveria e Kosovës nuk iu plotëson kërkesat. Kështu u bë e ditur sot pas një takimi të tyre, ndërsa një ditë më parë, Qeveria paralajmëroi se do të nxjerrë akte nënligjore për rregullimin e çmimeve të naftës dhe të tjera masa mbrojtëse.
Çmimet e naftës janë rritur në Kosovë dhe sot, një litër naftë u shit për mbi 1.8 euro. Tregtarët po kërkojnë të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që çmimi maksimal të jetë: për shitje me shumicë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12 për qind. Në shkresën që iu dërgua nga kryeministri Albin Kurti, thuhet:
Për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, sot Qeveria e Kosovës nga çdo litër naftë dhe benzinë të shitur mbledh për litër rreth 64 centë, apo 12 centë më shumë se para krizës globale.
Sipas tregtarëve, “nëse Qeveria dëshiron të mbrojë konsumatorët, duhet të ulë akcizën dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për naftën”, sikurse, siç thanë, “kanë bërë vendet e tjera të rajonit e Bashkimit Europian”.
Për shkak të inflacionit të përgjithshëm, industria e naftës vetëm se është duke u përballur me rritje shumë të madhe të kostove: të pagave, normave të interesit, shpenzimeve të mirëmbajtjes, etj. E kombinuar me kufizim të marzhit të fitimit, kjo do të ketë efekt shkatërrues për kompanitë e naftës.
Qytetarët në Kosovë po përballen me rritje të çmimeve të produkteve bazë, teksa sipas të dhënave zyrtare, inflacioni ka qenë 11.2 për qind në muajin prill. Tregtarët thanë se rrezikojnë të falimentojnë nëse aplikohet një marzh e ngjashme për fitim, siç u vendos për periudhën 3 mars-31 maj. Ky vendim theksonte se te shitësit me shumicë, marzhi më i lartë tregtar ishte deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërsa te shitësit me pakicë, marzhi më i lartë deri në 6 për qind.