Presidenti amerikan, Donald Trump përsëriti se dëshiron që Ukraina të shpaguajë miliarda dollarë që ia kanë dërguar Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur veten kundër luftës së nisur nga Rusia.
Dua që ata të na japin diçka për gjithë paratë që u kemi dhënë. Jemi duke kërkuar për minerale të rralla të tokës, çfarëdo që mund të gjejmë, u shpreh Trump në Konferencën e Konservatorëve për Veprimin Politik, të mbajtur pranë Uashingtonit. Po përpiqem t’i rikthej paratë.
Trump i bëri këto komente ndërsa vazhdojnë negociatat mes Uashingtonit dhe Kievit për një marrëveshje që përfshin aksesin amerikan në mineralet e Ukrainës, edhe ato të domosdoshme për prodhimin e baterive për makina elektrike dhe të tjera pajisje teknologjike.
Më herët gjatë javës, i dërguari i posaçëm i Trump-it për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg udhëtoi në Kiev ku takoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Më vonë, u shpreh se Zelensky e kupton se sa e rëndësishme është për SHBA-të nënshkrimi i marrëveshjes. Kellogg e vlerësoi Zelensky-n si burrë “guximtar”.
Trump iu dha mbështetësve se beson që marrëveshja mund të arrihet.
Do t’i rikthejmë paratë tona, sepse nuk është e drejtë. Do ta shohim, por besoj që jemi shumë afër marrëveshjes dhe është mirë nëse jemi afër.
Sipas një dokumenti të propozuar, Amerika do të fitonte akses në mineralet e Ukrainës për të kompensuar ndihmën e ndarë për Kievin. U raportua se fillimisht, Zelensky hezitoi për firmosjen e akordit, por dje u tha se po shqyrton mundësinë e rishikimit të versionit të fundit të marrëveshjes.
E përditshmja amerikane The New York Times ka deklaruar se disa prej kushteve janë edhe më të ashpra se në draftin e parë. Sipas propozimit të fundit, “Ukraina do t’i japë akses SHBA-ve në minerale në vlerë 500 miliar dollarë”.
Ruslan Stefanchuk, kryetar i Parlamentit të Ukrainës, bëri të ditur se një grup do të angazhohet për këtë marrëveshje më 24 shkurt, por Ukraina dëshiron të pranojë garanci specifike të sigurisë, në këmbim të qasjes në minerale.
Strategjia diplomatike e Trump-it kundrejt Rusisë, përfshirë mundësinë e organizimit të një samiti mes tij dhe presidentit rus, Vladimir Putin ka alarmuar Ukrainën dhe Evropën për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje që nuk do të jetë në të mirën e tyre. Konflikti në Ukrainë ka arritur në fazë kritike, në prag të shënimit të 3-vjetorit të nisjes. Raportohet se forcat ushtarake të Kievit janë duke u tërhequr nga disa pjesë të vijës së frontit.