Bota

Trumpit nuk i del e keqja me CNN-in, kërkon flakjen “si qen” të gazetares Natasha Bertrand!

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump kërkoi shkarkimin e gazetares së CNN-it, Natasha Bertrand. Kjo pas publikimit të një raporti të brendshëm të agjencive të inteligjencës amerikane, sipas të cilit “sulmet e SHBA-ve ndaj tre objekteve bërthamore iraniane (Fordow, Natanz, Isfahan) në orët e para të 22 qershorit, shkaktuan vetëm një vonesë të përkohshme, prej disa muajsh, në programin e Teheranit”.

Përmes platformës Truth Social, Trump akuzoi korrespondenten 33-vjeçare të CNN-it në Pentagon për përhapjen e “lajmeve të rreme” dhe kërkoi “largimin e menjëhershëm të saj, si qen”. Madje kritikoi ashpër lajmin e CNN-it duke pretenduar se “po përpiqej të shkatërronte pilotët patriotë, duke i paraqitur si dështakë”.

Trump dhe administrata e tij këmbëngulin se sulmet shkatërruan plotësisht infrastrukturën e pasurimit të uraniumit, duke miratuar vlerësimin e Izraelit se “programi bërthamor i Iranit është vonuar për vite të tëra”.

Në të kundërtën, raporti i inteligjencës së brendshme i cituar nga CNN-i dhe gjithashtu i publikuar nga media të mëdha si Washington Post e New York Times, argumenton se “vonesa është e përkohshme dhe do të lehtësohet brenda pak muajsh”, një fakt që ka shkaktuar shqetësim në Shtëpinë e Bardhë.

CNN, në një deklaratë zyrtare, mbrojti gazetaren Natasha Bertrand dhe theksoi se “raportimi gazetaresk ishte i saktë dhe i bazuar në informacionin e disponueshëm me interes publik”. Një zëdhënës i rrjetit CNN vuri në dukje se vlerësimi ishte paraprak e se vetë mbulimi përfshinte edhe deklaratat e Trumpit.

Ne nuk e konsiderojmë të arsyeshme të kritikojmë raportin për paraqitjen e saktë të një vlerësimi që ekziston dhe është kritik për informacionin publik.