Aktualitet

Trupi i pajetë i ish-Presidentit Nishani mbërrin nga Berlini të martën, do të përcillet me ceremoni shtetërore

Trupi i pajetë i ish-presidentit Bujar Nishani pritet të mbërrijë të martën, më 31 qershor, në Shqipëri.

Të martën pritet që të mbahen homazhe në Pallatin e Kongreseve.

Ish-kreu i Shtetit, Bujar Nishani ndërroi jetë një ditë më parë në një spital në Gjermani, ku ndodhej i shtruar për shkak të komplikacioneve nga Covid 19.

Prej më shumë se një muaj, ish-Presidenti u transferua nga spitali Shefqet Ndroqi në një spital në Gjermani për një trajtim më të specializuar, por sipas mjekëve atje ish-Presidenti ra në gjendje kome dhe pësoi vdekje të trurit, fatkeqësisht një gjendje shëndetësore e pakthyeshme për ish-Presidentin.

Mediat raportojnë se pas vdekjes së tij në Spitalin Universitar të Berlinit Charite, stafi mjekësor dhe të afërmit e të ndjerit po merren me procedurat e posaçme që mundësojnë sjelljen e trupit të ish-Presidentit të Republikës në atdhe, ku pritet t’i bëhen edhe nderimet e fundit.

Ish-Presidenti do të përcillet për në banesën e fundit nëpërmjet një ceremonie zyrtare dhe për këtë pritet që Këshilli i Ministrave të marrë një vendim të posaçëm.

Ish-Presidenti i gjashtë i Republikës së Shqipërisë post-komuniste, Bujar Nishani, ka ndërruar jetë ditën e djeshme, pasi prej javësh ishte i shtruar në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi. Lajmi është konfimuar edhe nga të afërm e kolegë të tij, të cilët kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të politikanit shqiptar.

Familja e Nishanit është ndodhur pranë tij në çastet e fundit. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i kishte lënë në organizëm.

Fillimisht, Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID i lanë me shenja pneumonie në mushkëri.

Gjendja e tij u stabilizua për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua. Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.

Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017, ndërsa bëhet presidenti më i ri në moshë që ka ndërruar jetë në Shqipëri.