Helmohen sërish kursantët e Akademisë së Sigurisë në Sauk, dyshohet se nga ushqimi katering. Mësohet se mbrëmjen e djeshme, rreth 30 vetë u paraqitën me simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, ku të ndarë në grupe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital.
Ky është rasti i dytë në më pak se dy muaj, ndërsa policia dhe AMP-ja kanë nisur hetimet.
Herën e parë, më 6 maj u helmuan 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i të njëjtës kompani, “SORI-AL”. Nga mostrat e marra për analizë, rezultoi se makaronat ishin të kontaminuara me Escherichia Coli dhe Stafilokok.
Fillimisht, AKU-ja bllokoi aktivitetin e kësaj kompanie si dhe e gjobiti me 1.5 milion lekë për ushqim të pasigurt e kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare.
Disa ditë më vonë ia zhbllokoi aktivitetin pasi analizat e mostrave për higjenën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, rezultuan brenda normave të lejuara për treguesit e higjenës.