Rajoni

Turi ballkanik i kancelarit Scholz, sot ndalesa në Maqedoninë e Veriut e Bullgari!

Në vijim të turit dyditor në Ballkan, i pari si kancelar i Gjermanisë, Olaf Scholz shkon sot në Maqedoninë e Veriut e në Bullgari. Në qendër të bisedimeve,  grindja mes Shkupit e Sofjes që pengon hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Prej vitesh, Bullgaria është kthyer në pengesë, duke ngritur pretendime historike.

Dje në ditën e parë të udhëtimit, Scholz ishte në Kosovë e Serbi nga ku apeloi për përshpejtimin e reformave që nisin procesin e anëtarësimit europian. Nga Beogradi, kancelari gjerman kërkoi t’i bashkangjitet sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Moskës, për shkak të agresionit rus në Ukrainë e që vazhdon prej datës 24 shkurt.

Koha për dhënien fund të premtimeve boshe

Vizitave të Scholz-it në vendet e Ballkanit, po iu bëhet jehonë edhe në mediat gjermane. Gazeta “Straubiger Tagblatt/Landshuter Zeitung” shkruan se “Olaf Scholz ka të drejtë, kur do të mbajë gjallë perspektivën në BE”.

Por, kjo nuk ka nevojë të qëndrojë tek një anëtarësim i plotë. Më në fund, Bashkimi Europian duhet të largohet nga “e gjitha ose asgjë”. Presidenti francez, Emmanuel Macron dha sërish idenë e një bashkësie të zgjeruar politike në krah të BE-së. Një projekt i tillë do të ishte më i ndershëm se premtimet boshe që u bëhen vendeve të Ballkanit.

“Tagesschau” nënvizon se “me ambicie dhe ritëm, kancelari kërkon të nxisë përpara anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por në vizitën në Serbi u ndesh me një arsenal problemesh”.

Ishte momenti kur u bë e qartë sa e vështirë do të mund të bëhet me Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Europian.

Në bisedë me presidentin Aleksander Vuçiç, kancelari gjerman nxiti Serbinë, vend kandidat, që t’iu bashkohet sanksioneve europiane kundër Rusisë.

Në konferencën për shtyp, Scholz tha: “Më mirë të mos bëhen atëherë kur gjithçka të ketë marrë fund”. Si reagim, me zë të butë, por mjaft i vendosur, presidenti serb filloi të shpjegojë me shumë fjalë, se përse nuk do të ndiqet kjo dëshirë.