Aktualitet

U dëmtuan nga ngricat, fermerët e Burimasit protestë në Maliq!

Fermerë të fshatit Burimas në Maliq, sot dolën në protestë për dëmet e mëdha që kanë pësuar drufrutorët si pasojë e ngricave dhe temperaturave të ulëta që përfshinë dy ditë më parë juglindjen e vendit. Sipas tyre, dëmi në prodhime arrin deri në 90%, kryesisht në mollë, qershi e kumbulla, kultura që përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave për rreth 100 familje të përfshira në bujqësi në këtë zonë.

Protestuesit i kanë bërë thirrje qeverisë që të ndërhyjë urgjentisht duke ofruar mundësinë e sigurimit të prodhimeve bujqësore përmes kompanive private apo shtetërore, për të shmangur humbje të tilla katastrofike në të ardhmen. Nëse nuk merret asnjë masë deri më 11 Maj, fermerët paralajmërojnë bojkotin e zgjedhjeve.

Sektori i bujqësisë sidomos dega e pemëtarisë mori një goditje të fortë ditët e fundit për shkak të ngricave që përfshinë rajonet juglindore dhe veriore të vendit. Zbritja e temperaturave në -5 gradë, shoqëruar me reshje bore, mësohet se ka dëmtuar rëndë pemëtoret që shumica e tyre ishin në lulëzim. Specialistë të bujqësisë në qarkun Korçë pohuan për Monitor se kushtet atmosferike të ditëve të fundit kanë bërë dëme të mëdha sidomos në frutikulturë.

Korça është rajoni me prodhimin më të madh të pemëtarisë veçanërisht mollëve, qershive e kumbullave, që janë dëmtuar tërësisht nga ulja e temperaturave pasi ishin në lulëzim. Mollët nuk kanë çelur ende, por sythat e tyre janë dëmtuar nga ngricat duke cënuar rëndë prodhimin këtë vit, shpjeguan ekspertët.

Prodhimi i frutave në rajonet e Korçës, Dibrës dhe Kukësit do të jetë tërësisht minimal. Peshkopia dhe Korça janë prodhues të mëdhenj të frutave në vend sidomos me mollë, qershi e kumbull.

Ekspertët mendojnë se këtë vit, frutat e para që dalin nga prodhimi vendas në treg, qershitë do të jenë me çmime të larta. Tregu do të furnizohet me qershi vetëm nga zonat e ngrohta të Shqipërisë, Elbasan dhe Fier e disa kultivarë që çelin vonë dhe piqen më vonë në zonat që u dëmtuan nga ngricat.

Qindra fermerë kanë pësuar dëme të pallogaritshme këto ditë, teksa janë tërësisht të pambrojtur nga kushtet klimaterike. Ngjarjet ekstreme të motit janë shtuar vitet e fundit. Ditët me temperatura të larta ashtu edhe të ftohta janë bërë me intensive, duke rrezikuar gjithnjë e më shumë prodhimin bujqësor.

Bujqësia shqiptare nuk është e përfshirë në shërbimet e tregut të sigurimeve dhe subvencionet e Buxhetit të Shtetit janë thuajse shumë të ulëta dhe shumica e tyre, 60% shkojnë për shpenzime operative të aparatit të Ministrisë së Bujqësisë.

Fermerët shqiptarë kanë kosto të larta prodhimi dhe nuk janë të mbrojtur nga çmimet konkurruese të importit. Kapaciteti i tyre financiar nuk mundëson masa mbrojtëse nga klima të tilla si rrjeta nga breshëri ose sisteme ngrohjeje nga temperaturat e ulëta, siç aplikojnë bujqit kudo në Europë.