Qytetarët janë kthyer sërish në protestë në Zvërnec, zonën ku parashikohet të ndërtohet resorti nga dy vëllezërit Al-Khayyat nga Katari. Qytetarët janë mbledhur në plazhin e Dajlanit, në një protestë sensibilizuese për të mbrojtur zonën e mbrojtur.
Gardhi i famshëm i përplasjeve pranë Hidrovorit, të cilit pas protestave iu hoqën telat me gjemba, tashmë nuk ekziston më.
Me thirrjet “anulo projektin”, apo “Edi Rama dorëhiqu”, “Narta është e jona”, “Larg duart nga Zvërneci” protestuesit kërkojnë mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit dhe identitetit të zonës së Nartës e Zvërnecit.
Flamingoja është kthyer në simbol të kësaj proteste qytetare. Për shumë prej tyre, beteja nuk është vetëm për një copë tokë, por për të mbrojtur një nga ekosistemet më të rralla të vendit e prandaj bëjnë thirrje që të anulohet projekti.
“Pse të vijnë ata të na fusin betonin, ta bëjnë copë-copë dhe të mos e gëzojnë fëmijët tanë? Këtu rritet ngjala më e mirë në Mesdhe. Këtu vijnë flamingot, breshkat e detit. Fëmijët tanë e duan natyrën. Vlora është vendi i flamurit dhe i bukurive, të gjithë e lakmojnë, por ajo u përket atyre që kanë dhënë gjak për të”, tha një tjetër.
Flamingot dhe pelikanët, që prej vitesh janë simbol i Lagunës së Nartës, u përmendën vazhdimisht gjatë marshimit si arsye pse zona duhet të mbrohet.
“E kanë të vështirë të besojnë se Shqipëria ka ndryshuar, njerëzit e duan natyrën. Jemi për ti dhënë zë flamengove, e pelikanëve. Por flamengot dhe pelikanët janë tregues si probleme shumë më të thella që ka Shqipëria. Sot në Tiranë në orën 6 dhe nesër dhe deri kur ky model qeverisje të ndryshojë dhe të vërë në vend respektin për natyrën e popullin e vet”, tha një tjetër.
Një tjetër protestues tha se marrëdhënia e shqiptarëve me natyrën është pjesë e identitetit kombëtar.
“Jemi të vetmi popuj që identitet kulturor e kemi të ndërtuar te natyra. Dikur shtëpitë i lyenim duke imituar ngjarat që shikonim në natyrë, veshjet i kishim duke imituar natyrën. Ata që duan të na heqin ndjeshmërinë për Nartën janë oligarkët dhe qeveria. Rama në burg, Berisha në burg”, tha një protestues.
Mbrëmë për më shumë se 3 orë para godinës së qeverisë, qytetarët në ditën e 6-të të protestës, artikuluan sërish thirrjet për anulimin e projektit dhe dorëheqje të kryeministrit.