Paulo Fonseka hyri në qendrën sportive të kuqezinjve mëngjesin e sotëm për t’i thënë lamtumirën skuadrës dhe për të zgjidhur çështjet e tij personale.
Pas largimit nga Milanello ai dha një prononcim të shkurtër për mediat:
“Një përqafim për të gjithë dhe faleminderit për respektin dhe mbështetjen, ishte krenari të isha trajner i Milanit. A i thashë lamtumirë skuadrës? “Po, po, sigurisht,” përfundoi trajneri portugez.
Paulo Fonseka mori njoftimin se ishte shkarkuar si trajner i Milanit pas barazimit 1-1 me Romën. Pas largimit nga San Siro, trajneri portugez komentoi lajmin për Sky Sport ku konfirmoi shkarkimin e tij. Ai u shpreh se e ka ndërgjegjen e pastër dhe ka bërë gjithçka ka mundur.
“Kam folur me drejtuesit, është e vërtetë: Unë jam jashtë Milanit. E kam ndërgjegjen e pastër sepse kam bërë gjithçka çfarë munda”, deklaroi Fonseka.
Serxho Konseisao pritet të prezantohet sot në Milano. Ai ishte pa klub, që nga largimi prej Portos në verë. 50-vjeçari qëndroi për plot 7 vite te klubi portugez duke qenë aktor kyç.
Në Itali do të jetë eksperienca e parë si trajner, ndërsa si futbollist ka veshur fanellën e Lacios, Interit dhe Parmës.
24 ndeshje qëndroi në krye për të gjitha kompeticionet. Me Milanin fitoi 12 ndeshje, barazoi 6 dhe humbi po aq.