Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, bisedoi me presidenten e Kosovës për angazhimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Po ashtu, mbi “nevojën për të shtensionuar situatën” në veriun me shumicë serbe. Me të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u takuan me Vjosa Osmanin në Nju Jork.
Një bisedë e mirë me presidenten Vjosa Osmani për zotimin tonë të përbashkët për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, për nevojën për të shtensionuar situatën dhe për angazhimin urgjent në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë që lehtësohet nga BE-ja e që është kyç për stabilitetin rajonal dhe integrimin drejt BE-së.
Gjatë takimit në SHBA ku po zhvillon takime në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presientja Osmani theksoi rëndësinë e “një qëndrimi parimor për zbatimin e plotë e të balancuar të marrëveshjeve” të arritura në kuadër të dialogut.
Roli amerikan është kyç për të përfunduar me sukses procesin, duke i hapur rrugën njohjes reciproke.
Takimi mes Osmanit dhe zyrtarëve të lartë amerikanë vjen një javë pasi në Bruksel, raundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi përfundoi pa një rezultat. Pas takimit të 14 shtatorit, BE-ja tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ishte i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, i cili “e pranoi propozimin e tyre” për zbatimin e marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti këmbënguli që fillimisht të formalizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.
Një ditë më parë, kryeministri Kurti akuzoi për “njëanshmëri” Lajçakun, i cili sipas tij, “u pozicionua” kundër Kosovës.
Kurti tha se në Bruksel paraqiti një plan të vetin për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të saj. Për to, Kosova dhe Serbia u pajtuan më herët gjatë këtij viti. Por, sipas tij ky plan u refuzua nga Serbia dhe BE-ja.