Bota

Të shtëna me armë, panik në zemër të “Times Square”-it, në Nju Jork!

Disa të shtëna me armë zjarri shkaktuan panik në zemër të “Times Square”-it, në Nju Jork, duke detyruar qindra kalimtarë dhe turistë të vraponin për t’u strehuar, raportoi “New York Post”.

Sipas Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD), incidenti ndodhi rreth orës 15:30-16:00 pranë kryqëzimit të Rrugës “West 44th” dhe Seventh Avenue, pas një sherri mes disa personave e që u përshkallëzua në përdorimin e armëve të zjarrit.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dëgjohen disa të shtëna, ndërsa turma njerëzisg largohen me shpejtësi nga zona.

Autoritetet njoftuan se një i dyshuar u arrestua menjëherë pas ngjarjes dhe se në vendngjarje është sekuestruar një armë.

Policia bëri të ditur se askush nuk u plagos nga të shtënat, megjithëse një plumb goditi një automjet të parkuar pranë vendngjarjes. Vijojnë hetimet lidhur me zbardhjen e motiveve.

Ngjarja ndodhi vetëm pak orë pas paradës festive për titullin kampion të “Knicks”-ave, duke mbledhur miliona njerëz në Manhatan dhe rritur ndjeshëm fluksin e vizitorëve në zonën e “Times Square”-it.