Të paktën 20 persona u vranë dhe më shumë se 40 u plagosën në sulmet që Rusia kreu gjatë natës ndaj Ukrainës, siç njoftuan zyrtarët rajonalë në raportimin e sotëm.
Rusia kreu tetë sulme në rajonin e Zaporizhjës, duke goditur një burg, njoftoi Ivan Fedorov, kreu i administratës ushtarake. 16 persona u vranë, 35 mbetën të plagosur. Ndërtesa e burgut është shkatërruar si dhe shtëpitë përreth janë dëmtuar.
Për viktima e të lënduar u raportua edhe në rajonin e Dnipropetrovskut, sipas zyrtarëve rajonalë.
Një sulm me raketa në qytetin Kamjanske vrau dy vetë, plagosi pesë të tjerë dhe dëmtoi një spital, bëri të ditur në Telegram kreu i administratës ushtarake rajonale, Sergiy Lysak.
Një person tjetër u vra dhe disa u lënduan në një sulm në rajonin e rrethit Sinelnikivski.
Në një sulm tjetër në Velikomihajlivska, natën e djeshme, “një e moshuar 75-vjeçare humbi jetën. Një burrë 68 vjeç u plagos. Një shtëpi private u dëmtua, shkroi ai në Telegram.
Në jug të Rusisë, një person gjeti vdekjen pas një sulmi ukrainas me dronë, siç konfirmoi ushtruesi i detyrës së guvernatorit rajonal.
Një autoveturë u dëmtua në rrugën Ostrovski. Fatkeqësisht, shoferi i mjetit ndërroi jetë, deklaroi Yuri Slyusar, ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Rostovit.
Kievi zyrtar po përpiqet të zmbrapsë ofensivën më të fundit ruse, që ka shënuar përparime të reja në zona ku nuk kishte pasur shumë luftime që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Gjatë fundjavës, ushtria ruse tha se forcat e saj kishin “çliruar vendbanimin Malijevka” në Dnipropetrovsk, disa javë pasi kishin marrë nën kontroll fshatin e parë në këtë rajon.