Një anketim i kryer nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, nxjerr në pah se papunësia, korrupsioni dhe varfëria vazhdojnë të jenë tri problemet më të mëdha për shtetasit e Kosovës. Anketa tregon një rënie të përgjithshme të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e shumicës së institucioneve kryesore ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore në Kosovë, me përjashtim të punës së parlamentit dhe të presidentit që nuk kanë shënuar ndryshime nga matjet e vitit të kaluar.