Rajoni

16 vjet shtet, Kosova feston Ditën e Pavarësisë!

Përmes aktiviteteve të ndryshme po shënohet 16-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në mbledhjen solemne të qeverisë, kryeministri Albin Kurti, tha se ashtu si në ditën kur u shpall pavarësia 16 vjet më parë, Kosova “ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve, pa dallim”. Kurti theksoi se Kosova në 16 vjet, me ndihmën e partnerëve të saj është bërë kontribuese për paqen.

Me mbështetjen nga aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës, një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuuese për paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave, drejtësinë sociale dhe solidaritetin i ka në thelb të çdo kursi politik e shoqëror.

Duke folur për viktimat e luftës së fundit në Kosovë në vitet 1998-99, Albin Kurti tha se me nderimin e tyre, duhet të vazhdohet rruga për ndërtimin e shtetit.

U jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin e pavarësisë. Mirënjohje e veçantë për partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë për rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë. Qoftë gjithmonë e fortë Republika jonë. Ne i dalim zot!

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Kurti, së bashku me presidenten Vjosa Osmani, si dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca morën pjesë në ngritjen e flamurit para ndërtesës së qeverisë.

Kryetarja e Shtetit vuri në dukje se në këto 16 vjet, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, teksa kujtoi dhe nderoi të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeparlamentari Konjufca deklaroi se 17 shkurti është dita më e rëndësishme e shtetit të Kosovës,

Sot është edhe ditë e festimit, pro edhe reflektimit, falënderimit dhe mirënjohjeve.

Glauk Konjufca përfitoi nga rasti që të falënderonte partnerët ndërkombëtarë që kontribuan për pavarësinë e Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, mbi 100 vende të botës e kanë njohur atë.

Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive. Në mesin e tyre janë Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Europiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, Organizatës Botërore të Tregtisë, etj.