Shtetet e Bashkuara thanë se janë në pritje të krijimit të kushteve për nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke theksuar se ato përfshijnë edhe përmbushjen e zotimeve të Prishtinës ndaj pakicës serbe.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit rikujtoi se Dialogu Strategjik u pezullua në shtator 2025, “për një periudhë të pacaktuar”, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë të Kosovës.
Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës, thuhet në përgjigje.
Departamenti i Shtetit nuk dha një afat se kur mund të nisë Dialogu Strategjik dhe nuk i specifikoi më shumë hapat që i pret nga autoritetet e Kosovës.
Përgjigjja vjen në ditën kur Uashingtoni nis raundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë, proces që synon thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha si: siguria, ekonomia dhe politika e jashtme.
Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-të e Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.