Rajoni

24-vjetori i Masakrës së Reçakut, “fytyra” e veprimeve të Serbisë në Kosovë!

Kosova përkujton sot 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar “krim kundër njerëzimit”. Në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit 1999, Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, rreth orës 06:30, forcat serbe me artileri të rëndë filluan të bombardonin fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe hynë atje e filluan bastisjet.

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara u sollën në vëmendjen e të gjithë botës së civilizuar dhe shpalosën të vërtetën rreth planit gjenocidal të Sllobodan Millosheviçit.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të ishte fokusi i një konference ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave ushtarake serbe. Kjo çoi në largimin e tyre dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë. Në atë kohë, Reçaku zuri vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, tregonte se dëgjoi lajmin dhe u zgjua me ankth për atë se çfarë do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.

“Viktimat e Reçakut i treguan botës për tragjedinë që përjetuan shqiptarët më 1999-ën”. Kështu deklaroi sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni përkujtimore të mbajtur në Shtime, në 24-vjetorin e masakrës së Reçakut.

Masakra e Reçakut bëri që qendrat vendimmarrëse, demokratike, të mobilizoheshin për ta mbrojtur një popull që po vuante nën kthetrat e një regjimi gjenocidal. Por, edhe për të dëshmuar se qytetërimi perëndimor, nuk mund të dorëzohej para hegjemonive, prandaj Kosova duhej të ndihmohej e të mbrohej.

Kryeministri Albin Kurti vuri në dukje se masakra nxiti ndryshimin e qëndrimit të liderëve botërorë “për atë që po bënte Serbia në Kosovë”.

Teksa kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat e të vdekurve dhe të gjallëve të asaj kohe të errët, me lejoni që para jush, nga pozita e kryeministrit, t’ju them që shteti ynë demokratik nuk i amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës.