Celebrities Showbiz

A e kanë mbështetur kolegët shqiptarë? Elsa Lila flet për arrestimin e saj!

Vitin e kaluar bëri bujë lajmi për arrestimin e këngëtares së njohur, Elsa Lila. Ajo u akuzua si e përfshirë në një bandë të trafikut të drogës, ku u tha se ishte llogaritarja. Artistja u arrestua në kuadër të një aksioni policor në Itali më 16 mars të 2022, si pjesë e një grupi të trafikut të drogës. Operacioni i antidrogës, u zhvillua në jug të Romës, ndërsa u lëshuan urdhër-arreste për 13 persona, të cilët akuzoheshin për trafik droge, shqiptarë dhe italianë.

Ndërkohë arrestimi i Elsa Lilës solli reagime të forta në opinionin publik shqiptar, ndërsa lajmi u përcoll në të gjitha mediat italiane. Këngëtarja ishte sot e ftuar në emisionin “Wake Up”, ku foli pak edhe në lidhje me këtë. E pyetur se kush iu gjend pranë dhe sa kanë reaguar kolegët shqiptarë, Elsa u përgjigj:

Unë nuk kam pasur një perceptim të drejtpërdrejtë duke qenë se isha në Romë, isha larg. Ju e dinit çfarë po bëhej, unë nuk e dija se çfarë po bëhej për dy muaj me radhë, kështu që nuk kam pasur absolutisht një perceptim se sa e mbështetur apo e pambështetur kam qenë. Di më pas nga njerëz që i njoh personalisht, edhe kolegë, jo vetëm të muzikës, që më pas kemi diskutuar personalisht, kam mësuar se më kanë mbështetur shumë, sepse duke më njohur nga afër nuk i kanë besuar ato akuza, ashtu siç më pas u vërtetuan. Ka pasur shumë nga ata, por nuk e di se sa. Unë kam lindur e fortë dhe besoj se ne fortifikohemi me forcat e jetës.