Rëndohet bilanci i aksidentit hekurudhor në Greqi, shkon në 38 numri i viktimave nga përplasja e mbrëmshme e dy trenave në zonën Evangelismos. Treni me pasagjerë i nisur nga Athina drejt Selanikut u përplas me një mallrash që po lëvizte në drejtim të kundërt, në të njëjtat shina. 53 nga 85 të plagosurit u dërguan në spital. Puna e skuadrave të shpëtimit është përqendruar në vagonin e tretë ku ka dyshime për pasagjerë të bllokuar.



Raportohet se treni i nisur nga Athina drejt Selanikut transportonte 430 persona, por 80 prej tyre zbritën në Larisa, ndërsa pjesa tjetër vazhdoi rrugën deri në përplasjen e rëndë të dy trenave pranë qytetit Tempe. Tashmë ka nisur një hetim për të zbuluar shkaqet e këtij aksidenti tragjik.
Në vendngjarje shkuan presidentja Katerina Sakellaropoulou, kryeministri Kyriakos Mitsotakis dhe ministri i Transportit e Infrastrukturës, Kostas Ach. Ndërkohë, Greqia shpalli tre ditë zie kombëtare. Vendimi u mor mëngjesin e sotëm nga Mitsotakis.



Për tragjedinë reagoi Tirana zyrtare. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën shqiptare në Athinë dhe Konsullatën e Përgjithshme në Selanik për të marrë informacione në lidhje me aksidentin.
Deri në këto momente nuk ka informacion për shtetas shqiptarë të përfshirë në aksident.
Kryeministri Rama shprehu ngushëllime:
Sa keq të dëgjosh për humbjen e jetëve dhe shumë të plagosur në aksidentin tragjik të natës së fundit në Greqi! Ndjejmë dhimbjen e fqinjëve tanë të dashur në një orë kaq të rëndë për kombin e tyre dhe i bashkohemi në lutjet e tyre dhe në ngushëllimet për familjet e viktimave.
Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave.
Trishtim i thellë pas aksidentit të tmerrshëm të trenit pranë Larisës në Greqi. Ngushëllimet e mia të sinqerta për të gjitha viktimat, familjet dhe miqtë e tyre! Mirënjohje për ekipet e shpëtimit dhe personelin mjekësor në zonë. Mendimet tona janë me popullin grek pas kësaj ngjarjeje tragjike.