Aktualitet Rajoni

Aksidenti tragjik, BE do të ndihmojë Greqinë për sigurinë hekurudhore!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi se “ekspertët e hekurudhave do të udhëtojnë në Athinë”, pas aksidentit tragjik hekurudhor të 28 shkurtit, pranë Larisës në Greqi.  Mes 57 viktimave nga përplasja e një treni pasagjerësh me një mallrash janë edhe 6 shqiptarë.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka publikoi emrat e viktimave të këtij aksidenti, teksa përcolli dhe një mesazh ngushëllimi për familjet e tyre:

Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi. Kaq shumë jetë të prera në mes kaq papritur e në mënyrë kaq tragjike! Në këtë ditë zije, një lutje e veçantë shkon për familjarët e 6 bashkëkombësve tanë që humbën jetën në këtë aksident: Klaudia Lato; Ifigjenia Micka; Erieta Molko; Ioanis Xhiollas; Denis Ruçi; Pavlin Bozo.

“Siguria hekurudhore është parësore”, – shkruan von der Leyen në Twitter pasi foli me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis. Dy liderët shprehën mbështetje të mëtejshme teknike që BE mund t’i japë Greqisë për të modernizuar hekurudhat e saj dhe për t’iu përmirësuar sigurinë.

Në Greqi, drejtuesi i stacionit të qytetit të Larisës është vënë në paraburgim për aksidentin, ndërsa punonjësit e hekurudhave në grevë vazhdojnë protestat. Nëse shpallet fajtor për akuzat për vrasje nga pakujdesia, punonjësi i hekurudhës përballet me një dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Punonjësi  i stacionit pranoi se gabimisht vendosi një çelës që çoi në një përplasje ballore të një treni pasagjerësh ndërqytetës me një tren mallrash pranë Larisës. Ky ishte aksidenti hekurudhor më i rëndë në historinë e Greqisë. Ndërkohë, në vendin fqinj shpërtheu zemërimi.

7 mijë e 500 persona protestuan para Parlamentit në Athinë për tragjedinë që i është atribuuar një gabimi njerëzor e neglizhencës. 5 vetë u ndaluan, 7 agjentë grekë u plagosën. Pjesëmarrësit që u përplasën me policinë, thërrisnin:

Poshtë qeveritë vrasëse!