Aktualitet

Zbardhet ngjarja ku rrezikuan të mbyteshin 11 emigrantë në Vlorë, arrestohet organizatori i tentativës për trafikimin e tyre

Policia Kufitare e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë pranë ishullit të Sazanit, ku 11 emigrantë nga vendet e treta rrezikuan të mbyteshin teksa lundronin me gomone në tentativë për të kaluar drejt Italisë.

Policia ka identifikuar dhe ka vënë në pranga organizatorin e tentativës për t’i transportuar drejt Italisë.

43-vjeçari nga Afganistani kishte organizuar, nga Greqia, futjen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri të 10 shtetasve të huaj, me qëllim transportimin e tyre më pas drejt Italisë.

Gomonen e kishte marrë në Seman, Fier, në vendin që i ishte dërguar si lokacion nga një shtetas shqiptar, i cili është ende i paidentifikuar. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimit në DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas hetimeve të shpejta dhe profesionale të kryera në lidhje me ngjarjen e djeshme pranë ishullit të Sazanit, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, shtetasin M. E., 43 vjeç, nga Afganistani, i cili ndodhej në gomone.

Gjithashtu, u proceduan penalisht për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, 10 shtetasit e tjerë nga Bangladeshi, Pakistani, Liberia dhe Haiti, që u gjetën në bordin e gomones.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi M. E., në bashkëpunim me një shtetas shqiptar ende të paidentifikuar, kishte organizuar nga Greqia futjen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri të këtyre shtetasve, nëpërmjet kufirit me shtetin grek. Më pas, në Seman të Fierit, ai kishte marrë gomonen e lënë në dispozicion nga shtetasi shqiptar dhe do të transportonte drejt Italisë 10 emigrantët nga vendet e treta.

Strukturat hetimore të DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e shtetasit shqiptar të përfshirë, si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë tentativë për kontrabandimin e emigrantëve nga vendet e treta drejt Italisë.