Rajoni

Akuza të reja në Hagë, Hashim Thaçi deklarohet “i pafajshëm”!

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklarohet i pafajshëm për disa akuza të reja të paraqitura nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë. Në seancën e sotme, Thaçi theksoi se nuk i ka kuptuar pasi ishin shumë të redaktuara, por u shpreh se “deklarohet i pafajshëm”. Përmes lidhjes video nga Qendra e Paraburgimit në Hagë, tha:

Deklarohem i pafajshëm, edhe pse materialin nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm!

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, vuri në dukje se “Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tre kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit e ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Akuzat e reja kanë të bëjnë me krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një tjetër në Gjilan.

Kategoria e parë lidhet me dy qendra ndalimi në Komunën e Suharekës, ku anëtarët e UÇK-së kanë kryer përndjekje, burgosje apo ndalim arbitrar, tortura, vrasje dhe zhdukje me forcë.

Kategoria e dytë ka të bëjë me dy raste të përndjekjes e vrasjes, në një qendër ndalimi në Komunën e Gjilanit, si dhe modifikime të kohës kur kanë ndodhur.

Kategoria e tretë përfshin pjesëmarrje personale të akuzuarit në krimet e kryera.

Në seancë nuk u lexuan akuzat e reja, por gjyqtari tha se do të publikohen online. Po ashtu, sot është dita e paraqitjes para Dhomave të Specializuara të Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të cilët me Thaçin ndajnë aktakuzën e përbashkët për krime lufte e kundër njerëzimit. Gjykimi ndaj tyre ende nuk ka filluar.

Që nga nëntori i vitit 2020, ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat përballen. Pretendimet e prokurorëve janë se u kryen në disa vende në Kosovë e në veri të Shqipërisë, në periudhën mars 1998-shtator 1999. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Europës, të vitit 2011, me autor senatorin zviceran, Dick Marty.