Celebrities Gossip Pardon My French Showbiz

Alban Ramosaj zbulon gjithçka për “Theje”!

“Pardon My French” erdhi paksa ndryshe këtë të mërkurë, teksa në mungesë të Jonidës bashkëprezantues me Eno Popin ishte Alban Ramosaj. Një nga zërat më të mirë të gjeneratës së tij, Ramosaj foli për këngën e tij më të fundit “Theje”, me të cilën është aktualisht duke konkurruar në “Festivalin e Këngës” në edicionin e 60-të. Duket se pavarësisht vlerësimit të madh nga fansat, Albani është përballur me disa vështirësi, pasi ka patur tension për “Theje”.

Isha betuar me veten time që nuk do bëj më gjëra të tilla sepse nuk e keni idenë sa ankth, stres, presion pune më është dashur për atë projekt… Është një lloj presioni aq i madh, është shumë gjë e mirë kur të thonë që është kënga fituese apo nëse nuk zgjidhem do të bëjnë protestë. Janë shumë të bukura, por kur të përsëriten… Nuk e bëj për asnjë lloj qëllimi, dua thjesht të bëj muzikë… Festivali do kaq shumë impenjim, çdo moment duhet t’ia kushtosh…

Por si nisi e gjitha kjo?! A ka qenë një ëndërr jete për Albanin të ishte pjesë e “Eurovision”. Ja çfarë zbulon Ramosaj:

E gjitha nisi nga fakti që unë në subkoshiencën time gjithmonë kam dashur të bëj muzikë anglisht, por pasi kam audiencë shqiptare nuk do gëzoja sukses. E gjitha lindi si ide marketingu. Gjëja më e përafërt për këngë anglisht ishte “Eurovision”. Nëse arrin të dalësh atje, është momenti të nxjerrësh diçka anglisht.

Kujtojmë, se Albani jeton në Spanjë, teksa u pyet nëse do të dëshironte të merrte pjesë në “Eurovision” duke përfaqësuar pikërisht këtë vend. Spanjën apo Shqipërinë, kë do të dëshironte të përfaqësonte artisti në këtë garë kaq të rëndësishme?!

Të përfaqësosh vendin tënd është një ndjesi komplet ndryshe… Ka një ndjesi tjetër kur pas teje është emri Albania. Sado situata është e tillë, unë e dua shumë vendin tim. Unë jetoj në Spanjë dhe sa herë shoqërohem me njerëz të rinj flas me krenari, me gjoks të fryrë për vendin tim…

Ndërkohë, teksa flet për “Festivalin e Këngës”, Ramosaj gjithashtu komenton keqkuptimin me Mentor Hazirin që ka ndodhur së fundmi.

Unë jam një artist i pavarur, pa menaxher, producent apo sponsora, por me shumë lodhje dhe sakrifica… Më vjen inat nëse unë fitoj dhe publiku mendon se unë kam korruptuar apo e kam blerë çmimin!