Bota

Amerika i kërkon Iranit të mos furnizojë me armë rebelët Huthi!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Iranit që të ndalë transferimin e sasisë së “paprecedentë” të armëve për rebelët jemenas, Huthi. Përmes tyre iu mundësohet rebelëve që të kryejnë ato që cilësohen “sulme të pamatura” ndaj anijeve në Detin e Kuq e më tej.

Zëvendësambasadori amerikan, Robert Wood theksoi se nëse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dëshiron të bëjë përparim drejt dhënies fund të luftës civile në Jemen, duhet që në mënyrë kolektive “ta bëjë të qartë rolin destabilizues të Republikës Islamike e të insistojë se Irani nuk mund të fshihet pas rebelëve Huthi”.

Ai vuri në dukje se ka dëshmi të shumta që vërtetojnë se Irani u jep rebelëve Huthi armë të avancuara, përfshirë raketa balistike dhe ato lundruese. Sipas Wood-it, një gjë e tillë është në kundërshtim me sanksionet e vendosura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Diplomati Wood theksoi:

Për të nënvizuar shqetësimin e Këshillit të Sigurimit sa i përket shkeljeve të vazhdueshme të embargos së armëve, neve duhet që të bëjmë më shumë, që të mos shmangen sanksionet e të ndalim shkelësit.

Rebelët Huthi kanë thënë se sulmet e tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq e në Gjirin e Edenit synojnë t’i bëjnë presion Izraelit që t’i japë fund luftës së shtetit hebraik ndaj Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara e nga Bashkimi Europian në Gaza e që ka lënë të vrarë më shumë se 35 mijë palestinezë.

Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, rebelët Huthi kanë kryer mbi 50 sulme ndaj mjeteve lundruese, kanë kapur një anije dhe kanë fundosur një tjetër, siç raportuan autoritetet amerikane, muajin e kaluar. Javët e fundit janë pakësuar sulmet e rebelëve, pasi ata janë goditur nga fushata e sulmeve ajrore në Jemen e që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për shkak të rrezikut nga sulmet e rebelëve, kalimi i anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Edenit është zvogëluar ndjeshëm.