Në një tjetër reagim publik për protestën që vijon në Tiranë prej rreth 1 muaji tashmë, kryeministri Edi Rama tha se nuk ka asgjë kundër protestuesve, por kundër atyre që ai i konsideron si “përfitues të protestës”.
Rama u ndal edhe te një person i pranishëm aty. Për të tha se kishte ardhur me karvanin e një “diaspore të shtirur” dhe se në emër të fesë predikonte urrejtje, bënte thirrje për kryengritje kundër qeverisë shqiptare dhe kërkonte hakmarrje ndaj Shteteve të Bashkuara për vrasjen e Qasem Soleimanit.
POSTIMI I PLOTË:
Edi Rama: Mos u merr me protestuesit…
Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër
Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë️️.
Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës.