Bota

Amerika nuk befasohet nga dështimi ukrainas në përparimin e shpejtë të ofensivës antiruse!

Dështimi i forcave ukrainase për të bërë përparime të shpejta në ofensivën kundër trupave ruse nuk po shkakton panik në mesin e zyrtarëve të lartë ushtarakë amerikanë. Ditët e fundit, ukrainasit kanë shprehur zhgënjim, duke i bërë thirrje Uashingtonit dhe Perëndimit t’i ofrojnë armatim më të avancuar për të ndihmuar në shkatërrimin e pozicioneve mbrojtëse ruse dhe rimarrë më shumë territor.

Por, zyrtarët amerikanë mbeten të bindur se kundërofensiva e Ukrainës do të sjellë rezultate, edhe nëse duhen gjashtë deri në tetë javë para se forcat ukrainase të bëjnë përparime më thelbësore. Komandanti amerikan, gjenerali Mark Milley:

Lufta në letër dhe lufta e vërtetë në terren janë dy gjëra të ndryshme. Fakti që po ecën më ngadalë nga sa parashikuan njerëzit, nuk më befason aspak. Forcat ukrainase po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme e të organizuar. Do të jetë shumë e vështirë, shumë e gjatë, shumë e përgjakshme dhe askush nuk duhet të ketë iluzione për këtë.

Më herët gjatë ditës së djeshme, gjenerali më i lartë i ushtrisë së Ukrainës i tha gazetës The Washington Post se forcat e tij kishin nevojë të madhe për municion e armatime të tjera, të avancuara. Valery Zaluzhny, komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës deklaroi:

Kjo më zemëron shumë. Kjo nuk është një shfaqje. Nuk është një shfaqje të cilën e gjithë bota po e shikon dhe vë baste. Çdo ditë, çdo metër jepet me gjak. Pa një furnizim të duhur me armë dhe municione, këto plane nuk janë aspak të realizueshme.

Ushtaraku i lartë kritikoi Perëndimin për shtyrjen e planeve të luftës që mbështeten në epërsinë ajrore, të cilën as Ukraina dhe as Rusia nuk kanë qenë në gjendje ta sigurojnë.

Kërkesat për më shumë armë

Komandanti Zaluzhny dhe të tjerë zyrtarë ukrainas, në mënyrë të përsëritur u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë që të ofrojnë jo vetëm tanke e automjete të blinduara, por edhe bomba thërrmuese, raketa me rreze të gjatë veprimi e avionë luftarakë modernë F-16.

Gjenerali Milley tha se kërkesat e Kievit nuk po injoroheshin.

Sistemet raketore “ATACMS”, avionët F-16 dhe çdo gjë tjetër është në një proces rishikimi të vazhdueshëm. Këto janë duke u shqyrtuar. Nuk është marrë asnjë vendim.

Gjeneral Milley shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përjashtuar mundësinë e furnizimit të Ukrainës me bomba thërrmuese, pavarësisht shqetësimeve të disa aleatëve për dëmin që shkaktojnë.