Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dislokimin e pesë mijë trupave të tjera amerikane në Poloni, disa ditë pasi Pentagoni ndali dislokimin e tyre në atë vend që ndodhet në krahun lindor të NATO-s dhe pasi në fillim të muajit u njoftua tërheqja e rreth 5 mijë trupave nga Gjermania.
Bazuar mbi zgjedhjen e suksesshme të presidentin të tanishëm Karol Nawrocki që e mbështeta, dhe marrëdhënien me të, SHBA do të dërgojë pesë mijë trupa shtesë në Poloni, u shpreh Trump në një postim në rrjetet sociale.
Ndërsa vendimi i Trump u vlerësua nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe zyrtarë polakë, por anëtarë të tjerë të aleancës u shprehën të hutuar ashtu siç u shprehën edhe zyrtarë të Pentagonit. Është me të vërtetë e paqartë, tha për gazetarët ministrja e jashtme suedeze gjatë punimeve të kryedplomatëve të vendeve të aleancës mbajtur në vendin e saj.
Kaluam dy javët e fundit duke marrë masa për njoftimin e parë. Nuk e dimë se çdo të thotë kjo, tha një zyrtar i departamentit amerikan të luftës që foli në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Marko Rubio, edhe ai pjesëmarrës në ministerialin e Suedisë, u shpreh për gazetarët se vendimet amerikane për trupat në Europë nuk ishin ndëshkuese, ndërsa nuk la pa përmendur faktin se presidenti Trump ishte i zhgënjyer me aleatët e NATO-s që hezituan në dhënien ndihmë SHBA-ve për luftën në Iran.
Samiti i udhëheqësve që do të mbahet në muajin korrik në Ankara është një nga më të rëndësishmit në historinë e Nato-s pasi liderët do të duhet t’i përgjigjen zhgënjimit të presidentit me përgjigjen e aleancës ndaj operacioneve tona në Lindjen e Mesme.
Kjo është diçka për t’u diskutuar në nivel udhëheqësish, theksoi Sekretari i Shtetit, që foli edhe për bisedimet me Iranin, ku tha se është shënuar njëfarë përparimi.
Nuk dua ta ekzagjeroj, por ka pasur lëvizje dhe kjo është diçka e mirë. Çështjet themelore janë të njëjtat. Irani nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore, u shpreh Sekretari i Shtetit, duke nënvizuar se Amerika duhej të adresonte çështjen e uraniumit të pasuruar të republikës islamike dhe të rikthente lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.